Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi kthehet nga takimi i ministrave të jashtëm të BE-së në Bërdo: Komuniteti evropian përshëndet progresin e arritur në Kosovë

30 Mars, 2008

Prishtine, 30 mars 2008

Pas kthimit në Aeroportin e Prishtinës, kryeministri i Republikës së Kosovës z.Hashim Thaçi tha se të gjitha vendet e BE-së e përkrahin pavarësinë e Kosovës. “Edhe ato vende që kanë mbetur pa e njohur shtetin e ri janë në procedurë të njohjes. Një pjesë e tyre do të na njeh shumë shpejt, të tjerat në një periudhë afatshkurtër” – u shpreh kryeministri i Kosovës.
 
Në takimin me z. Solana dhe ministrat tjera të BE-së, kryeministri i Qeverisë së Kosovës z.Hashim Thaçi ka biseduar për agjendën e Kosovës dhe rrugëtimin e saj në strukturat e NATO-së dhe BE-së.

“Gjithë komuniteti evropian përshëndet progresin e arritur në Kosovë, suksesin e përbashkët me komunitetin ndërkombëtar, që po e bëjmë. Institucionet e Kosovës janë duke punuar për ndërtimin e realitetit demokratik, të Kosovës demokratike dhe multietnike, por edhe për zbatimin e të gjitha kritereve të domosdoshme për procesin integrues në politikë, ekonomi dhe legjislacion, gjithnjë duke respektuar dhe garantuar të drejtat e minoritarëve”, tha kryeministri Thaçi pas kthimit nga Sllovenia, ku mori pjesë në takimin joformal të ministrave të jashtëm të BE-së.
 
Ai pohoi se me nxjerrjen e Kushtetutës së Kosovës do të bëhet edhe një hap drejtë strukturave te NATO-së dhe BE-së.

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, z.Hashim Thaçi në takimin e ministrave të jashtëm të BE-së që u mbajt ne Bërdo afër Kranjit, gjatë dy ditëve të kaluara, ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministri, z.Hajredin Kuçi dhe këshilltari i lartë politik z.Bekim Çollaku.

Last modified: 30 Mars, 2008

Comments are closed.

×