Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi kthehet me garanci nga vizita zyrtare në Bruksel: Perspektiva Evropiane e Kosovës, e afërt dhe sigurt

5 Prill, 2009

Prishtinë, 5 prill 2009

Procesi i bashkëpunimit të Kosovës si shtet me vendet e rajonit vlerësohet shumë në Bruksel, prandaj kurrë njëherë më parë perspektiva evropiane e Kosovës nuk ka qenë më e afërt dhe sigurt.

Këto komente i ka bërë të dielën në Aeroportin e Prishtinës kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas kthimit nga vizita disaditore në Bruksel.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi theksoi më tej se takimet që ka zhvilluar në Bruksel ishin takime të cilat kanë rezultuar me perspektivë të sigurt dhe të afërt evropiane të Republikës së Kosovës.

Gjatë vizitës në Bruksel, kryeministri Thaçi është takuar me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Havier Solana, zv/kryeministrin e Çekisë, Alexander Vondra dhe me Drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerim në Komisionin Evropian, Pierr Mirel.

Kryeministri Thaçi theksoi se në Bruksel ka treguar përkushtimet e Prishtinës zyrtare për implementimin e të gjitha kritereve demokratike të domosdoshme, kritere këto që janë edhe vlerat tona për ndërtimin e Kosovës demokratike, multietnike për sundimin e ligjit dhe qeverisjes së mirë.

“Gjithashtu them me besimin e plotë se studimi i fizibilitetit për Kosovën do të jetë i suksesshëm në veçanti duke u nisur edhe nga përkushtimi dhe vlerësimi që është edhe në Bruksel për institucionet e Kosovës në luftë kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar, kundër fenomeneve negative, për reformat në ekonomi, në politikë, në drejtësi”, theksoi kryeministri Thaçi.

I pyetur rreth qëndrimit të Spanjës për sa i përket statusit politik të Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi u shpreh i bindur se sikurse edhe shtetet tjera, edhe Spanja do t’i bashkëngjitet njohjes së pavarësisë së Kosovës.

“Unë kam deklaruar edhe më herët dhe po them prapë se edhe Spanja do të jetë pjesë e njohjes ndërkombëtare në të ardhmen”, ka thënë kryeministri Thaçi.

Last modified: 5 Prill, 2009

Comments are closed.