Prishtinë, 8 Prill 2010
Fjala e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në Ditën Ndërkombëtare të Romëve
I nderuar z. Pieter Feith,
Të nderuar Ambasadorë,
Përfaqësues të komunitetit Rom në Kosovë,
Zonja dhe Zotërinj,
Është kënaqësi e veçantë të jam pranë jush sot për përparimin e integrimit të komunitetit Rom në vendin tonë.
Nesër, ne e festojmë Ditën e Kushtetutës, ditën e gur themelit mbi të cilat është ndërtuar Republika e Kosovës, ditën e bazës së respektimit të të drejtave të të gjithë qytetarëve tanë dhe të respektimit afirmativ të komuniteteve.
Komuniteti Rom është një nga këto komunitete, pjesë e Kosovës për më shumë se një gjysmë mijëvjeçari, dhe kontribuues në aspektin shumëkulturor të shtetit tonë.
Komuniteti Rom është komunitet që ka vuajtur nga diskriminimi në rajonin e Ballkanit dhe përgjatë gjithë Evropës.
Kjo duhet të ndryshojë. Si Kryeministër, unë ju siguroj se dispozitat e përcaktuara në Kushtetutë, lidhur me mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve, do të mundësojnë qasje të barabartë të Romëve në shoqëri, si qytetarë të barabartë të Kosovës.
Sot Kosova është një vend demokratik me një shoqëri shumetnike, e përcaktuar për kapërcimin e dallimeve mes qytetarëve tanë – qofshin ato etnike, kulturore apo historike – drejt krijimit të një shtetit demokratik dhe unik.
Kosova u takon të gjithëve dhe është atdheu i të gjithë qytetarëve të saj.
Pra, Kosova duhet të jetë e bashkuar në diversitetin e vetë, duke i përfshirë të gjitha komunitetet në shoqërinë tonë dhe duke i lenë mënjanë dallimet tona.
Sot ende kemi shumë punë për të bërë, por me lejoni t’i përmend disa nga angazhimet tona të deritanishme.
Ministria për Komunitete dhe Kthim, Këshilli Konsultativ për Komunitete pranë Zyrës së Presidentit dhe Zyra për Çështje të Komuniteteve pranë Zyrës sime sot veprojnë si bashkërendues të programeve qeveritare dhe si shtytës të zbatimit të të drejtave të komuniteteve.
Vitin e kaluar, Zyra për Komunitete pranë zyrës sime e ka bërë një studim për punësimin e pjesëtarëve të komuniteteve jo-shumicë në Shërbimin Civil të Kosovës dhe në ndërmarrje me pronësi publike.
Raporti, rezultatet e të cilit tashme janë bërë publike, tregoi se ne ende nuk i kemi arritur objektivat tona në fushën e punësimit; por, raporti siguroi një plan veprimi për ta zgjidhur këtë çështje, me një listë të qarte dhe pragmatike të rekomandimeve.
Sa i përket komunitetit Rom në Kosovë, Qeveria e ka miratuar Strategjinë për Integrimin e Komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian në Republikën e Kosovës, 2009-2015.
Ky plan gjithëpërfshirës i potencon të gjitha nevojat e këtyre komuniteteve, prej kthimit e strehimit deri tek arsimi dhe integrimi në jetën publike. Strategjia e trajton edhe çështjen gjinore dhe problemet e grave të këtyre komuniteteve.
Përveç Strategjisë, në fund të vitit të kaluar, Qeveria e ka miratuar edhe Planin e Veprimit i cili do t’i fuqizojë institucionet tona demokratike drejt afirmimit të interesave të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian.
Për më tepër, në përgjigje të situatës jo të mirë në kampet e kontaminuara me plumb, në muajin Shkurt të këtij viti, e kemi filluar një projekt, me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar, për t’i zhvendosur personat të cilët jetojnë në ato kampe.
Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Romëve, unë dua t’ju garantoj se këto angazhime e përbejnë vetëm fillimin e përpjekjeve tona.
Synimi ynë është të sigurojmë se qytetarët e komunitetit Rom të jenë të integruar plotësisht në Kosovën e re, me të njëjtat mundësi për arsim dhe punësim si çdo qytetar tjetër.
Ju faleminderit
Last modified: 8 Prill, 2010