Prishtinë, 18 gusht 2010
Qeveria e Kosovës, e kryesuar nga kryeministri Hashim Thaçi, ka zhvilluar sot mbledhjen e saj të 140 të rregullt në të cilën ka miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Blegtorinë e Kosovës, Projektligjin për Muzetë si dhe një varg vendimesh nga fusha e veprimtarisë së saj kushtetuese.
Kryeministri Hashim Thaçi në hapje të mbledhjes ka theksuar se Kosova është duke u përgatitur së bashku me miqtë e saj ndërkombëtar për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. “Pas shpalljes së opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, presim edhe një rikonfirmim të të drejtës tonë për pavarësi dhe hapjes së kapitullit të ri për t’u integruar në strukturat euroatlantike dhe në OKB”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.
Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Blegtorinë e Kosovës. Ky projektligj rregullon çështjet e rëndësishme dhe me prioritet për zbatimin e ligjit në tërësi. Projektligji plotëson vakuumin ligjor të kontrollit dhe mbikëqyrjes së mbarështimit të kafshëve shtëpiake, ushqimit dhe aditivëve për kafshë shtëpiake dhe prodhimeve blegtorale.
Është aprovuar edhe Projektligji për Muzetë. Ky projektligj ka për qëllim funksionalizimin e mbrojtjes, ruajtjes dhe prezantimit të trashëgimisë së luajtshme dhe të identitetit kulturor e historik të Kosovës, përmes zhvillimit të veprimtarisë muzeore, si dhe krijimin e kushteve dhe rregullave përkatëse në fushën e muzeologjisë.
Në mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar ka aprovuar vendimin për shpalljen e trasesë së linjës 400 kw, Kosovë – Shqipëri, zonë me interes të përgjithshëm. Ky projekt është i një interesi të posaçëm për Kosovën dhe Shqipërinë, dhe duhet të trajtohet si zonë e interesit shtetëror dhe të kalojë procedurat konform trajtimit ashtu si është paraparë në legjislacionin tonë.
Duke shqyrtuar rekomandimet e Komisionit Ndërministrorë për Ndërmarrje Publike, kabineti qeveritar ka aprovuar e vendimin që Bordi Mbikëqyrës i Ndërmarrjes Publike Hidrosistemi Ibër-Lepenc, të rangohet në grupin e dytë të bordeve të ndërmarrjeve publike.
Ministri i Rinisë, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka njohur kabinetin qeveritar me përgatitjet që janë duke u zhvilluar për ceremoninë e rivarrimit të heroit kombëtarë, Isa Boletinit. Kjo ceremoni do të zhvillohet nën patronatin e Qeverisë së Kosovës. Kryeministri ka theksuar se Qeveria e Kosovës do të kryej të gjitha obligimet e saja shtetërore dhe ka falënderuar të gjithë ata që janë angazhuar deri tani për rivarrimin e heroit tonë kombëtar, në vendlindjen e tij.
Me propozimin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Qeveria e Kosovës ka shpallur “Zonë Ekonomike” Parkun e Biznesit në Drenas dhe Parkun Teknologjik në Skenderaj.
Kabineti qeveritar ka diskutuar edhe për çështjen e sigurimit fizik të objekteve qeveritare dhe të institucioneve në Kosovë. Për shkak të marrjes së përgjegjësive në ruajtjen e kufirit, në ruajtjen e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe rritjes së patrullimit në rrugët e qyteteve tona, Policia e Kosovës nuk ka kapacitete të vazhdojë të kryej sigurimin fizik të këtyre objekteve. Ministria e Administratës Publike ka arrit marrëveshjen për vazhdimin e sigurimit deri në fund të shtatorit nga ana e Policisë së Kosovës, dhe në ndërkohë do të hulumtohen mundësit për zgjedhjen afatgjate të këtij problemi.
Last modified: 18 Gusht, 2010