Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Kosova në një të ardhme të afërt do të jetë pjesë e familjes euroatlantike

21 Prill, 2009

Prishtinë, 21 prill 2009

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Sllovenisë, Samuel Žbogar. Në takim është diskutuar për avancimin e bashkëpunimit mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Sllovenisë në të gjitha sferat.

Kryeministri Hashim Thaçi fillimisht e ka falënderuar ministrin e jashtëm slloven për mbështetjen e plotë që i kanë dhënë shtetit të Kosovës.

Edhe e kaluara sllovene dhe e kaluara e Kosovës kanë qenë të njëjta. Të dy popujt kemi luftuar për shtet, për liri dhe kemi fituar pavarësinë. Sot Sllovenia është pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Edhe Kosova në një të ardhme të afërt do të jetë pjesë e familjes euroatlantike – u shpreh kryeministri Thaçi.

Dëshiroj të theksoj se në Kosovë është krijuar klima dhe ambienti i sigurt për investime dhe investitorët sllovenë kanë qenë prej më të fuqishmëve, që kanë investuar në Kosovë dhe vazhdojnë të të jenë prezentë, të kenë sukses të plotë. E kanë pasur dhe do ta kenë mbështetjen të plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të institucioneve të saj. Gjithashtu është mjaft inkurajuese edhe prezenca civile dhe ushtarake sllovene në Kosovë – theksoi kryeministri Thaçi.

Nga ana e tij, ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Sllovenisë, Samuel Žbogar, njoftoi se ka nënshkruar një marrëveshje të bashkëpunimet me Ministrin e Jashtëm të Kosovës, duke thelluar kështu bashkëpunimin mes dy vendeve.

Duke u përgjigjur pyetjeve të mediave lidhur me bashkëpunimin në nivelin ekonomik Kosovë – Slloveni, ministri i Jashtëm slloven tha që është takuar me afaristët sllovenë, ata janë te kënaqur me tregun e Kosovës dhe vazhdojnë te ndihen te mirëpritur dhe të sigurt duke investuar në Kosovë.

Last modified: 21 Prill, 2009

Comments are closed.