Prishtinë, 26 nëntor 2009
Në mbledhjen e 95-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi ka ritheksuar se Kosova ka të ardhme të sigurt evropiane, stabile, me perspektivë të qartë zhvillimore. Kryeministri Thaçi ka potencuar se zgjedhjet e 15 nëntorit kanë treguar mesazhin më të mirë të arritjes së standardit më të lartë perëndimor, edhe me zgjedhje fer, të lira, demokratike, edhe me pjesëmarrje dhe me pranimin e rezultateve, por edhe me formimin e komunave të reja, respektimin e plotë të dokumentit të presidentit Ahtisari.
Në mbledhjen e sotme të qeverisë, është miratuar Plani i Veprimit për Implementimin e Strategjisë për Qeverisje Elektronike 2009-2015.
Ministri i Ministrisë së Administratës Publike, Arsim Bajrami theksoi se në këtë fushë janë identifikuar mbi 100 projekte konkrete, që janë të përfshira në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve, të cilat do të ndikojnë në reformimin thelbësor të administratës sonë publike.
Qeveria ka miratuar edhe projektligjin për zbatimin e Sanksioneve Ndërkombëtare. Duke pasur parasysh faktin se Republika e Kosovës merr pjesë në bashkëpunimin ndërkombëtar për promovimin dhe mbrojtjen e paqes, sigurisë dhe drejtave të njeriut, zbatimi i sanksioneve ndërkombëtare është detyrim kushtetues për shtetin tonë. Kjo do të kontribuojë në ruajtjen e paqes, të stabilitetit dhe të sigurisë ndërkombëtare, si dhe në luftimin e terrorizmit ndërkombëtar, nga shkeljet e të drejtave të njeriut, konfliktet territoriale, etnike dhe konflikte të tjera në shtetet tjera, si dhe do të sigurojë interesat e sigurisë kombëtare të Republikës së Kosovës.
Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar edhe Projektligjin për Produkte dhe Pajisje Medicinale. Me këtë projektligj përcaktohen rregullat për prodhimin, kontrollin e cilësisë, regjistrimin, etiketimin, pullat e sigurisë, importin, eksportin, vënien në treg, përshkrimin mjekësor, efikasitetin, si dhe sigurinë e përdorimit të produkteve dhe pajisjeve medicinale në Republikën e Kosovës.
Nxjerrja e Ligjit për Produkte dhe Pajisje Medicinale do të evitojë mangësitë në këtë fushë dhe do të sjellë risi në krahasim me ligjin aktual ku përmes normave ligjore do të rregullohen procedurat e regjistrimit konform legjislacionit të Bashkimit Evropian, të plasmanit dhe përdorimit të produkteve dhe pajisjeve medicinale në Kosovë. Ky projektligj ndikon në rregullimin e sektorit farmaceutik në Republikën e Kosovës, pasi që përfshin fushën e prodhimit dhe furnizimit me barna dhe pajisje medicinale të tregut, si në sektorin publik dhe atë privat.
Qeveria ka miratuar edhe kërkesën e Shoqatës së Invalidëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që të ndahen mjete financiare në vlerë prej 150.000 (njëqindepesëdhjetë mijë) euro, të cilat do të shërbejnë për sigurimin e gjërave elementare ushqimore.
Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar propozim-vendimin për caktimin e pagës së kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Kryetari i KZAP-it do të ketë pagën mujore në vlerë prej 1000 eurosh, ndërsa anëtarët prej 800 eurosh.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi nga mbledhja e sotme e qeverisë, në prag të festës së madhe të Kurban Bajramit, ka uruar anëtarët e kabinetit qeveritar dhe të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, të besimit islam për këtë festë të solidaritetit, të mirëkuptimit, paqes, vëllazërisë, e harmonisë.
Last modified: 26 Nëntor, 2009