Prishtinë, 06 maj 2010
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot në një takim z. Shtefan Füle, Komisionar i BE-së për zgjerim. Pas takimit në një konferencë shtypi, kryeministri Thaci tha se temë e këtij takimi ka qenë bashkëpunimi i Kosovës me strukturat e Bashkimit Evropian.
“Zotimi dhe qëllimi por edhe puna e Qeverisë së Republikës së Kosovës është avancimi i qeverisjes së mirë, sundimi i ligjit, qeveri efikase, efektive, rritjes së transparencës”, theksoi z. Thaçi, duke shtuar se në këtë drejtim kemi ndërtuar një partneritet të shkëlqyeshëm edhe me Këshillin e Evropës, autoritetet e EULEX-it, ICO-së që si partner të përbashkët të vazhdojmë angazhimet tona në avancimin e suksesit të Kosovës, në rritjen e kapaciteteve tona zhvillimore në aspektin ekonomik, rritjes së mirëqenies së qytetarëve.
Më tutje kryeministri Thaçi ka pohuar se Kosova ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm vitin e kaluar në zgjedhjet lokale ku morën pjesë serbët dhe tani kemi edhe krijimin e komunave të reja. Lëvizje pozitive besoj se do të kemi edhe në veri dhe jemi duke punuar që ato ndryshime të ndodhin sa më shpejt që është e mundur. Siç e dini Kosova është një storie e suksesit të plotë por me plot sfida të cilat jemi duke i përballuar të gjithë. Në të njëjtën kohë Kosova ka një perspektivë të sigurt evropiane, perspektivë kjo për të cilën jemi duke punuar të gjithë maksimalisht.
“Kosova është gati për të hapur dialogun edhe për liberalizimin e vizave dhe stabilizim-asociimin. Prandaj ishte bisedë e mirë, hapur dhe i përkushtohet harmonizimit të angazhimeve tona të mëtutjeshme”, theksoi z. Thaçi, duke shtuar se Kosova do të vazhdojë të ndërtojë raporte të shkëlqyeshme edhe me të gjitha vendet e rajonit. Duam të kemi relacione të reja edhe me Serbinë si dy vende për hir të paqes, stabilitetit dhe perspektivës evropiane të ë rajonit.
Komisionar i BE-së për Zgjerim, z. Shtefan Füle tha se takimi i dytë për një kohë shumë të shkurtër e që nuk është i fundit është përqendruar në perspektivën evropiane të Kosovës. “Ndoshta nuk e kemi ende konsensusin nga shtetet anëtare për statusin por kemi një konsensus për angazhimin tonë për perspektivën evropiane të Kosovës. Kemi rishikuar procesin prej dhjetorit dhe mendoj se po ecim shpejt sa i përket dialogut politik, stabilizim asociimit”, theksoi Füle. Ai tha se kishte diskutuar me kryeministrin Thaçi për bashkëpunimin rajonal dhe në lidhje me përgatitjet për konferencën e Sarajevës që do të ndodhë në qershor të këtij viti.
Last modified: 6 Maj, 2010