Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Kosova dhe Gjermania do të rrisin nivelin e marrëdhënieve bilaterale – tani do të fillojë punën ambasada jonë në Berlin

27 Tetor, 2008

Prishtinë, 27 tetor 2008
 
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka takuar sot Franz Josef Jung, ministër i Mbrojtjes së Gjermanisë, me të cilin ka biseduar për zhvillimet  dhe progresin e arritur në Kosovë si dhe bashkëpunimin midis dy vendeve.
 
Në takim ka marrë pjesë edhe ministri i Forcës së Sigurisë, Fehmi Mujota.
 
Kryeministri Hashim Thaçi fillimisht ka falënderuar Gjermaninë për përkrahjen dhe mbështetjen që i ka dhënë Kosovës para dhe tani pas pavarësisë.
 
Z. Thaçi po ashtu ka vlerësuar kontributin e madh të paqeruajtësve gjermanë në Kosovë.
 
“Kosova dhe Gjermania do të rrisin nivelin e marrëdhënieve bilaterale, sepse tani do të fillojë punën ambasada jonë në Berlin”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.
Tani është koha për zhvillimin ekonomik, ka pohuar z. Thaçi dhe ka shtuar se kemi krijuar hapësirë dhe siguri për investitorët e jashtëm.
 
Investitorët gjermanë janë shumë të rëndësishëm për vendin tonë. Disa prej tyre tani më kanë bërë hapat e parë, ka thënë kryeministri Thaçi.
 
Nga ana e tij, Franz Josef Jung, ministër i Mbrojtjes i Gjermanisë, ka thënë se Gjermania do të vazhdojë ta mbështes Kosovën në krijimin e paqes dhe sigurisë. Z. Jung ka siguruar kryeministrin  Thaçi për ndihmën për Kosovën në fushën politike, ekonomike dhe ushtarake.
 
“Gjermania do të mbështesë procesin e krijimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës”, ka pohuar Jung, duke shtuar se për këtë qëllim Gjermania do të dhurojë 7 milion euro.
 
Vendi i tij, ka thënë Franz Josef Jung do të ndihmojë Kosovën edhe në kuadër të EULEX-it, në të cilin Gjermania ka një kontingjent të madh. 

Last modified: 27 Tetor, 2008

Comments are closed.

×