Prishtinë, 23 prill 2009
Fjalimi i Kryeministrit në Festën Memoriale të Turqve të Kosovës
Të nderuar përfaqësues të komunitetit turk të Republikës së Kosovës
Të nderuar përfaqësues të Parlamentit të Republikës së Turqisë.
Të nderuar të gjithë ju pjesëmarrës në këtë ngjarje festive.
Simbolika e kësaj ngjarje është një simbolikë shumë e rëndësishme për shoqërinë dhe shtetin tonë të ri – Kosovën pavarur, sovrane dhe demokratike.
Kjo simbolikë flet shumë për faktin se po ndërtojmë një vend në të cilin të gjithë qytetarët, pavarësisht dallimeve të tyre etnike apo religjioze i gëzojnë në mënyrë të barabartë të drejtat dhe liritë demokratike.
Komunitetet e ndryshme që e përbëjnë shtetin tonë të ri janë vlera jonë.
Kjo më se miri shprehet në Kushtetutën e Republikës sonë, e cila çdo qytetari të Kosovës i garanton të drejtën që të ndihet krenar me identitetin e tij kulturor dhe ta afirmoj këtë identitet.
Kohërat e diskriminimit për shkak të identitetit i kemi lënë pas njëherë e përgjithmonë.
Bota demokratike e sheh me admirim këtë realitet të tolerancës dhe mirëkuptimit ndëretnik që kemi ndërtuar në Kosovën tonë të re.
Si në të kaluarën, edhe sot, Prizreni është qyteti – simbol i këtij realiteti.
Kontributi i komunitetit turk të Kosovës në këtë drejtim ka qenë dhe vazhdon të jetë i madh.
Përfaqësuesit e tij sot janë të pranishëm, në mënyrë aktive, në të gjitha hallkat e institucioneve të Republikës së Kosovës, si në pushtetin lokal edhe në atë qendror.
Japin kontributin e tyre të çmuar në ecjen e vendit tonë drejt integrimeve euro-atlantike.
Komuniteti turk është pjesë shumë e respektuar e progresit të përgjithshëm që po ndodhë në Kosovë, në fushat e konsolidimit të demokratik dhe zhvillimit ekonomik.
Por edhe pjesë e miqësisë në mes dy vendeve tona Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë.
Të nderuar të pranishëm
Shfrytëzoj edhe njëherë rastin që në emër të Institucioneve të Republikës së Kosovës të shpreh falenderimet më të thella për qeverinë turke dhe të gjitha institucionet e shtetit turk për mbështetjen e fuqishme që i kanë dhënë dhe vazhdojnë ti japin Kosovës.
Një mbështetje e fuqishme, por edhe e shumanshme.
Si në planin e jashtëm, ashtu edhe në atë të brendshëm.
Qoftë në siguri përmes prezencës në KFOR, qoftë në fushën e zhvillimit ekonomik përmes investimeve në bisnes dhe projekte tjera zhvillimore.
Qeveria që unë drejtoj është e përkushtuar maksimalisht në thellimin e bashkëpunimit dhe miqësisë në mes dy popujve tanë.
Kjo është një vlerë që duhet kultivuar në vazhdimësi.
Sepse miqësitë mes popujve bëjnë gjëra të mrekullueshme.
Last modified: 23 Prill, 2009