Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Komandant Zahiri dhe bashkëluftëtarët e tij, Edmondi dhe Hakifi përgjithmonë do të kujtohen si ndër flamurtarët e parë të marshimit të lirisë

30 Janar, 2010

Prishtinë, 30 janar 2010
 

Fjalimi i kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në Akademinë Përkujtimore, me rastin e shënimit të 13 vjetorit të rënies së heronjve të kombit, komandantit Zahir Pajaziti dhe bashkëluftëtarëve të tij, Edomond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
 

E nderuara familja Jashari,
E nderuara familja Pajaziti,
E nderuara familja Zejnullahu,
E nderuara familja Hoxha,
Te nderuara familje të dëshmorëve
Të nderuar të pranishëm
 

Çdo vit, në fund të janarit, ne bashkohemi për të rikujtuar rënien e lavdishme të njërit prej personaliteteve më të rëndësishme të luftës sonë për liri dhe shtet të pavarur, rënien e heroit të Kosovës së lirë dhe sovrane, komandantit Zahir Pajaziti.
 

Po mbushen 13 vite nga rënia e tij dhe bashkëluftëtarëve trima, Hakif Zejnullahu e Edmon Hoxha, por kujtimi dhe nderimi për ta është si kurrë më parë i fuqishëm.
 

Sot ata i nderon shteti i pavarur dhe sovran i Kosovës, shteti për të cilin ata, dhe mijëra djem e vajza të Kosovës, sakrifikuan gjithëka nga vetja e tyre, mundin dhe jeten.
 

Prej mijëra vitesh brezat dhe gjeneratat ia përcjellin njëra tjetrën porosinë se Liria është vlera gjëja më e shtrenjt e njeriut.

Është vlera më e lartë e kombeve dhe popujve.

Prandaj ata që sakrifikohen për liri mbesin monumente të përjetshme në kujtesen e tyre.
 

Të tillë janë Zahiri, Hakifi dhe Edmondi. E tillë është vepra dhe rënia e tyre.
 

Rënia e tyre në janarin e vitit 1997 mbartë ne vete domethënie të madhe, historike dhe politike.
 

Kjo rënie ishte paralajmërimi më i qartë se po vinte ora e madhe e historisë. Po vinte çasti kur populli ynë i udhëhequr nga Ushtria Clirimtare e Kosovës, do të merrte një vendim të madh :  Vendimin për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë shtypjes dhe robërisë.
 

Rënia e tyre ishte paralajmërim i epokës së madhe së çlirimit e cila u kurorëzua në qershorin e vitit 1999 me largimin përfundimtar të ushtrisë dhe policisë serbe nga Kosova.
 

Me vite Zahiri me shumë shokë nga e gjithë Kosova, me komandantin legjendar të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës Adem Jasharin, kishin punuar për këtë ditë.
 

Në kushtet dhe rrethanat e një represioni sistematik policor që ushtronte Serbia, ata ia dolën që të ngrisin bazat e para të UÇK-së, gjithandej Kosovës.

Nga këto baza ata u nisën në dhjetra e dhjetra aksione të suksesshme.

Këto aksione  filluan të trondisin aparatin represiv serb dhe të rikthejnë besimin e popullit tek vetvetja.

Pushka e Zahir Pajazitit ishte porosia se nuk mund të shtypësh një popull dhe të jesh i qetë.

Zahiri ishte kudo ku e lypte nevoja. Ai ishte njeri i aksionit.

Aksioni ishte frymëmarrja e tij dhe guximi i pashoq karakteri i tij. Ai kishte lindur për të qenë Luftëtar i Lirisë.

Rënia e tij ishte një humbje e madhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, por edhe një test i fuqishëm i qëndrueshmërisë së saj organizative.

Puna që kishin kryer më vite Zahiri dhe dhjetra e dhjetra të tjerë në organizimin e formacioneve të UÇK-së i kishte dhënë frytet e saj.

Pavarësisht goditjeve që mund të merrte UÇK-ja tashmë kishte arritur nivelin e pathyeshmërisë dhe mund të ndermerrte edhe hapa të tjerë operativ.  Muajt në vazhdim e konfirmuan këtë.

Vetëm pak muaj pas rënies së Zahirit UÇK u përball në mënyrë të hapur me forcat policore serbe. Sigurimi serb ishte mashtruar me llogaritë e tij se e ka shkatërruar UÇK-në.

Marshimin e lirisë asgjë më nuk mund ta ndalte. Zahiri, Edmondi dhe Hakifi përgjithmonë do të kujtohen si ndër flamurtarët e parë të këtij marshimi.

I përjetshëm qoftë kujtimi dhe nderimi për ta dhe për të gjithë dëshmorët e Kosovës së lirë dhe sovrane.

Last modified: 30 Janar, 2010

Comments are closed.