Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Këto projekte po ndryshojnë jetën e qytetarëve të Gjilanit për të mirë, po e modernizojnë Gjilanin dhe po i japin një pamje të re, pamje Evropiane

30 Mars, 2013

Prishtinë, 30.03.2013

Kryeministri i Qeverisë  së Republikë së  Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, anëtarë të kabinetit qeveritar dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës, vizitoi disa nga projektet infrastrukturore në qytetin e Gjilanit, si dhe i bëri një vizitë Fakultetit të Edukimit në Gjilan.

Kryeministri Thaçi vizitën e parë e bëri te punimet që janë duke u bërë në rregullimin e shtratit të lumit “Mirusha” në Gjilan, për të vazhduar vizitën në rrugën e re që po ndërtohet në Gjilan, rrugën Halim Orana.

Në vazhdim, të vizitës në qytetin e Gjilanit, Kryeministrit Thaçi i është rezervuar një pritje e ngrohtë nga stafi akademik dhe studentët e Fakultetit të Edukimit, Qendra në Gjilan.

Pasi ka përmbyllur vizitën në Gjilan, Kryeministri Thaçi është deklaruar për media.

Në vazhdim, po e prezantojmë deklaratën e Kryeministrit Thaçi, dhënë para mediave, në fund vizitës:

“Pata kënaqësinë të vizitojë dhe të njihem me realizmin e disa projekteve infrastrukturore në qytetin e Gjilanit, që janë shumë të rëndësishme për qytetarët e Gjilanit. Janë këto projekte të bashkëfinancimit, por janë edhe projekte që po ndryshojnë jetën e qytetarëve të Gjilanit për të mirë, po e modernizojnë Gjilanin dhe po i japin një pamje të re, pamje Evropiane.

Falënderoj kryetarin dhe të gjithë bashkëpunëtoret për punën dhe angazhimin e tyre. Ne do të jemi pran në mbështetje të autoriteteve komunale në realizimin e të gjitha projekteve të iniciuara dhe që janë në zbatim e sipër.

Ne sot diskutuam me kryetarin për fillimin e edhe të dy projekteve tjera, jashtëzakonisht të rëndësishme për Gjilanin dhe qytetarët e Gjilanit, për zgjerimin e hyrje daljeve të qytetit në drejtim të Prishtinës dhe Ferizajt. Do të jenë këto projekte të financuara nga qeveria me mbështetje edhe nga komuna.

Kisha nja kënaqësi të veçantë që sot të jem edhe në Fakultetin e Edukimit, ku takova stafin universitar. Ju e dini vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, duke parë nevojat dhe domosdoshmërinë e qytetarëve të Gjilanit dhe rrethinës, duke përfshirë edhe Preshevën, Medvegjën dhe Bujanovcin, për edukim të qytetarëve të kësaj hapësire, kemi marr vendimin për themelimin e Universitetit Publik të Gjilanit “Kadri Zeka”.

Sot kisha kënaqësi të takoj ata që do të jenë mësimdhënës të këtij universiteti por edhe student të profileve të ndryshme. Fillimisht Universiteti Publik i Gjilanit “Kadri Zeka”, do të vendoset në këtë objekt, për të krijuar mundësi tjera dhe hapësira tjera dhe më të përshtatshme, por punën e këtij universitet. Universiteti Publik i Gjilanit do të fillojë punën me 1 tetor të këtij viti.

Motoja ime është që asnjë i ri kosovarë të mos mbetet pa index dhe pa të drejtën për të ndjekur studimet dhe për të filluar jetën akademike. Definitivisht hapja e Universitetit Publik “Kadri Zeka” këtu në Gjilan, është një mundësi e re për të gjithë qytetarët e Gjilanit, është një mundësi e re për të gjitha familjet që të kenë më pak shpenzime, është një mundësi e mirë për edukimin e të gjithë të rinjve të kësaj treve.

Edukimi sjell zhvillim  ekonomik, sjell edhe vende të reja të punës, rritje të mirëqenies sociale të qytetarëve. Unë dua të besojë fuqishëm që edhe qyteti i Gjilanit do ta marr kuptimin e vërtet të një qyteti universitar, të respektuar në Republikën e Kosovës, por e theksojë, edhe më gjerë duke përfshirë Gjilanin, Preshevën, Medvegjën dhe Bujanovcin dhe treva të tjera ku jetojnë shqiptarët në Maqedoni.

Unë uroj qytetarët e Gjilanit, kryetarin Mustafa, stafin akademik dhe ju dëshirojë suksese në realizimin e të gjitha projekteve në komunën e tyre”.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, duke vlerësuar mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës ka falënderuar interesimin e veçantë që kryeministri Hashim Thaçi në vazhdimësi ka treguar për Gjilanin.

Last modified: 14 Maj, 2022

Comments are closed.