Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi ka vizituar kompleksin e varrezave serbe në Gjilan

21 Shkurt, 2010

Prishtinë, 21 shkurt 2010

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga ministri për Kthim dhe Komunitete, Sasha Rashqiq ka qëndruar sot në Komunën e Gjilanit dhe ka vizituar kompleksin e varrezave serbe, pas aktit vandal të përdhosjes së varrit të qytetares së ndjerë serbe, Zhivka Jovanoviq.

Udhëheqësit e Komunës së Gjilanit kanë njoftuar kryeministrin Hashim Thaçi lidhur me projektin për rregullimin dhe pastrimin e varrezave serbe. Kryeministri Thaçi u ka dhënë përkrahje autoritete lokale të Gjilanit dhe u ka premtuar përkrahjen e Qeverisë së Kosovës për këtë projekt.

Kryeministri Hashim Thaçi me këtë rast në një deklaratë për media ka dënuar aktin vandal të dëmtimit të varrit  të qytetares së ndjerë serbe, Zhivka Jovanoviq dhe ka kërkuar nga organet përkatëse, të zbulohet kryesit e kësaj vepre dhe të ndërmerren masat adekuate në përputhshmëri me ligjin.

“Ky akt ka indinjuar të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe është i dënueshëm për të gjitha institucionet e Kosovës. Çfarëdo qoftë motivi, ky është akt kriminal i  drejtuar kundër angazhimeve dhe përkushtimeve tona pozitive, ka thënë kryeministri Thaçi”, duke shtuar  se dikush dëshiron të prish hijeshinë e arritjeve tona. 

Më tutje z. Thaçi tha se pavarësisht nga veprimet e tilla që nuk janë në traditën e qytetareve tanë, do të vazhdojmë me implementimin e angazhimeve tona të përbashkëta për Kosovën si atdhe i të gjithë qytetarëve të saj.   

Ndërkaq ministri Rashiq ka thënë se pa marrë parasysh se të kujt janë këto varreza ky është një akt i ultë dhe vandal. Aktorët e këtij krimi janë armiq të popullit dhe vlerave civilizuese.  Z. Rashiq tha se porosia për qytetarët e Gjilanit është të vazhdojnë të jetojnë së bashku dhe të gjithë të zhvendosurve u ka bërë thirrje të kthehen  të jetojnë në Gjilan dhe në Kosovë.

Duke u përgjigjur në pyetjen lidhur me tendencat  e politizimit të këtij rasti në Gjilan nga politikanët serbë në Serbi, kryeministri Thaçi ka ripërsëritur se ky akt është jo civilizues dhe barbar dhe jo njerëzor dhe në të njëjtën kohë nuk është njerëzor politizimi i këtij rasti nga kushdo qoftë, qoftë edhe nga Jeremiq.

Last modified: 21 Shkurt, 2010

Comments are closed.