Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në një takim zëvendëskomisarin e Shërbimit Policor të Kosovës, gjeneralin Sheremet Ahmeti.
Kryeministri Thaçi ka theksuar me ketë rast se SHPK-ja ka mbështetjen dhe përkrahjen e plotë të Qeverisë së Kosovës dhe se ajo do të bashkëpunojë me të gjitha autoritetet në kuptimin e një bashkëpunimi shumë të ngushtë në prag të pavarësimit të Kosovës.
Z. Thaçi ka potencuar më tej se menjëherë pas pavarësisë do të bëhet riorganizimi dhe transformimi profesional i SHPK-së. “SHPK-ja është një tregim i suksesshëm i Kosovës, pra është një shërbim profesional dhe shumetnik. Qeveria e Kosovës do të mbështesë SHPK-në në kuptimin e avancimit të punës sipas standardeve më të larta perëndimore, ka thënë kryeministri.
Zëvendëskomisari i SHPK-se, Sheremet Ahmeti, e ka njoftuar kryeministrin Thaçi me përgatitjet intensive që po bëhen për krijimin e një ambientit të sigurt për të gjithë qytetarët në prag të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, duke shtuar se Shërbimi Policor i Kosovës është në nivelin më të madh të përgjegjësisë për ruajtjen e rendit dhe qetësisë në Kosovë. “Ne kemi bërë planifikimet tona. Angazhimet tona nuk do të mungojnë dhe sigurisht që jemi të gatshëm për ta menaxhuar situatën në ditën e shpalljes se pavarësisë së Kosovës”, ka thënë z. Ahmeti.
Last modified: 30 Janar, 2008