Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi ka pritur botuesit e librit: Investimi në dije, investim në zhvillim ekonomik

16 Mars, 2009

Prishtinë, 16 mars 2009

Prononcimi i plotë i Kryeministri Hashim Thaçi

Kisha kënaqësinë e veçantë t’i takoja botuesit kryesor të librit në Kosovë, njerëz, të cilët kanë dhënë kontribut shumë të rëndësishëm për dijen, për edukimin e qytetarëve, të nxënësve, studentëve.

Kam vizituar edhe më herët shtëpitë botuese dhe jam i informuar drejtpërdrejt me hallet, shqetësimet dhe problemet e tyre që janë ballafaquar vazhdimisht.

Prej prioriteteve kryesore të Qeverisë së Republikës së Kosovës, gjithashtu besoj të të gjitha institucioneve, ka qenë, është dhe do të mbetet investimi në dije, investim ky i pakursyer nga ministria e Arsimit, nga Qeveria e Kosovës. Investimi në dije është investim në zhvillim ekonomik, punësim, emancipim, në kultivimin e qytetarëve.

Edhe vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për lirimin e librit nga TVSH-ja, do t’i kontribuon investimit në dije, do t’ua lehtëson punën, do t’iu krijojë kushte edhe më të mira edhe nxënësve, studentëve, ekspertëve, gjithë qytetarëve; do të afrojë lexuesin më tepër tek libri, do të krijojë kushte dhe mundësi edhe më të mira për praninë e librit në bibliotekat tona personale, shkollore, publike, të qytetit, biblioteka universitare.

Dua të besoj se nëse nuk mund të jemi të parët në rajon, atëherë do të jemi konkurrent real sa i përket rajonit. Ky është vetëm hapi i parë i rëndësishëm. Unë diskutova edhe për çështjet tjera, të cilat Qeveria mund t’i realizojë në të ardhmen. Ne do të kemi një dialog të mirëfilltë, dialog të shqyrtimit dhe implementimit të prioriteteve tona të përbashkëta.

Ndërsa, botuesi Nazmi Rrahmani mes tjerash ka theksuar:

Falënderoj kryeministrin Thaçi lidhur me vendimet dhe propozimet e  marra lidhur me librin, sepse libri deri tash nuk ka gëzuar aq shumë përkrahjen institucionale, për të cilën ka pasur nevojë, sidomos në periudhën e fundit, pas luftës e këndej.

Duke pasur parasysh rëndësinë e librit dhe kërkesat edhe të të gjithë botuesve që libri të depërtojë sa më tepër te lexuesit, që libri ta kryejë funksionin dhe rolin e vet në të gjitha fushat në të cilat arrin, ky vendim i Qeverisë dhe propozimet që të hiqet TVSH-ja, si një prej taksave, të cilat e kanë ngarkuar edhe lexuesin, krijon mundësinë që libri të depërtojë më lehtë dhe natyrisht të kryejë rolin e vet. Synimet që do të ketë heqja e TVSH-së, është edhe krijimi i kushteve për qarkullim sa më të lirë të librit në të gjitha trojet ku jetojnë dhe krijojnë shqiptarët.

Last modified: 16 Mars, 2009

Comments are closed.