Prishtinë, 1 shkurt 2008
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar edhe nga ministri i Ekonomisë dhe i Financave, Ahmet Shala, ka marrë pjesë sot në përurimin e skanerit me rreze X në pikën doganore midis Kosovës dhe Maqedonisë, në Han të Elezit.
Para oficerëve doganorë dhe mysafirëve, kryeministri Thaçi ka pohuar se ky është një lajm shumë i mirë nga Shërbimi Doganor për Kosovën dhe qytetarët e saj. Kjo pajisje moderne dhe e standardeve më të larta evropiane, është shenja më e mirë e vendosmërisë së institucioneve të Kosovës dhe e partnerëve tanë ndërkombëtarë për ngritjen e nivelit të shërbimeve doganore në vendin tonë. “Zotohem si kryeministër dhe në emër të Qeverisë së Kosovës se do t’i japë përkrahje të plotë Shërbimit Doganor të Kosovës në punën e vazhdueshme për përmirësimin e shërbimeve, në mënyrë që ato të jenë sipas standardeve evropiane dhe sipas kritereve të BE-së” , ka thënë kryeministri.
Më tutje, ai ka shtuar se kjo pajisje nuk do të jetë e vetmja, por do të ketë edhe shume të tjera nëpër pikat doganore të Kosovës për të siguruar shërbime sa më cilësore. Z. Thaçi ka pohuar se ashtu siç jemi përcaktuar do t’i themi jo dhe zero tolerancë korrupsionit, krimit të organizuar dhe zero tolerancë edhe kontrabandës së çdo forme.
Më pas kryeministri Thaçi ka bërë skanimin e ngarkesës së parë doganore dhe është entuziazmuar nga puna e këtij skaneri. Ai ka pohuar se kjo pajisje e re dhe shumë e sofistikuar do të ndihmojë në pengimin e depërtimit në Kosovë të mallrave të dyshimta dhe të rrezikshme për shëndetin e qytetarëve të Kosovës.
Last modified: 1 Shkurt, 2008