Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Ka përfunduar koha kur është vendosur për Kosovën pa Kosovën – nuk do të ndryshojmë qëndrim, 6 pikat duhet të ndryshojnë

15 Nëntor, 2008

15 Nëntor 2008
 

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj dhe kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, pas përurimit të rrugës në fshatin Vinarc, ka dhënë edhe këto mesazhe për qytetarët e vendit, të cilat po i prezantojmë në tërësi.
 
Unë dua të jem përsëri shumë i qartë. Planet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, projektet e institucioneve tona shtetërore nuk ndërlidhen me projektet e errëta të Beogradit për Kosovën. Ne kemi projekte zhvillimi, projekte progresi, projekte që hapin persepktivë për shtetasit tanë.
 
Vetëm sot kemi katër përurime, përurime të cilat do të ndikojnë drejtpërdrejt në jetën më të mirë të qytetarëve, pa dallim të përkatësisë etnike. Ne jemi të përkushtuar të ndërtojmë Kosovë demokratike në shoqëri shumë etnike, por dua të them se jemi shumë të vendosur që të punojmë bashkarisht edhe me ndërkombëtarët. Në këtë drejtim do të ketë lëvizje të shpejtë dhe konkrete, në mënyrë që definitivisht veriu të fillojë të ndryshojë në kuptimin më të mirë dhe afirmativ të mundshëm.
 
Nuk do të ketë më zona ku do të jetojë vetëm një etni, e që është e ndaluar për një etni tjetër . Në Kosovë do të ketë lëvizje të lirë dhe siguri për të jetuar cdo qytetar ku dëshiron të jetojë, prandaj duhet të kemi një projekt të ri, që do të prezentohet së shpejti. Kjo çështje është ngritur tash edhe me shtetet e Quintit që rreth njëmijë banesa dhe shtëpi, që janë të uzurpuara në mënyrë ilegale, jo legjitime, në veri të Mitrovicës të dëbohen në përputhshmëri me standardet evropiane, në përputhshmëri me standarde që kanë qenë të aplikueshme edhe në jug, në mënyrë që cdo qytetar të kthehet në banesën e vet, në shtëpinë e vet, në pronën e vet dhe asesi ato banesa, ato shtëpi, ato prona, ato troje të mos mbesin të uzurpuara.
 
Në kuadër të këtij inkurajimi për t’u rikthyer njerëzit në pronat e tyre, kam vendosur që, si veprim fillestar edhe për zotëriun Ali Kadriu t’i ndajë 10 mijë euro për rindërtimin e shtëpisë.
 
Unë jam i zgjedhur nga populli i Kosovës për të punuar, e jo për t’u dorëzuar. Jemi duke punuar bashkarisht me Presidentin Sejdiu, me mbështetjen e gjithë spektrit politik kosovar, që dëshiroj t’i falëndëroi që kanë dalur në mbështetje të qëndrimeve tona të drejta. Dua ta falëmnderoj edhe shoqërinë civile, mediat dhe gjithë qytetarët e vendit.
 
Ne jemi duke zhvilluar biseda korrekte, konstruktive, pa presione, përtej një qëllimi dhe vullneti tepër të mire. Por, dua të theksoj seka përfunduar koha më kur është vendosur për Kosovën pa Kosovën. Kosova nuk do të ndryshojë qëndrim, ato pika duhet të ndryshojnë. Ne kemi qëndrim shtetëror i cili qëndrim do të respektohet deri në fund.

Last modified: 15 Nëntor, 2008

Comments are closed.