Prishtinë, 27 maj 2009
Fjala e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Universitetit Amerikan në Kosovë
Prishtinë, 27 maj 2009
I nderuari ambasador Walker,
I nderuari z. Kadare,
I nderuari z. Hall,
Profesorë të respektuar,
Studentë të diplomuar dhe familjarë;
Ju faleminderit ambasador Walker për fjalët e mira.
Ju ndihmuat që fëmijët e Kosovës të mund të rriten në liri.
Tani, së bashku me shumë miq të Kosovës që janë sot me ne, themelues të Universitetit Amerikan në Kosovë, ju po ndihmoni që ata të marrin shkollim cilësor amerikan.
U ndjeva i nderuar kur mora ftesën për t’ju drejtuar juve në një ditë kaq të rëndësishme për studentët e Universitetit Amerikan dhe familjet e tyre.
Kur unë mbarova studimet, Kosova ishte një vend krejt ndryshe.
Vendi ynë ishte nën sundimin e një vendi tjetër.
Shqiptarët e Kosovës nuk ishin të lirë të ndiqnin shpresat dhe ëndrrat e tyre, duke bërë jetë me frikë në një shoqëri të shtypur.
Por, na mbante shpresa se mund të bënim ndryshime dhe ëndërronim për t’i sjellë liri, demokraci e dinjitet një populli krenar, që i meritonte prej kohësh.
Ballafaqimi me një regjim autoritar nuk na luhati nga ndjekja me ngulm e qëllimit tonë.
Shokët tanë u burgosën për këto ide.
Të afërmit tanë vdiqën për këto ideale, por megjithatë njerëzit mbetën të bashkuar në përkrahje të kauzës sonë.
Mendjet e arsyeshme dallonin në mënyrën se si mund të arrinim qëllimet tona.
Rruga drejt pavarësisë nuk ishte e lehtë.
Por ne i besuam njëri – tjetrit, kishim besim në kauzën tonë për liri, demokraci dhe dinjitet dhe çka është më e rëndësishmja, i besuam popullit të Kosovës dhe asaj që do të mund të bënim së bashku.
Me 17 shkurt 2008, ëndrra jonë u realizua.
Përderisa nënshkruaja Deklaratën e Pavarësisë, mendova për rrugëtimin e gjatë që na solli deri te ky moment, për dëshmorët e flijuar dhe të arriturat e mëdha që i kemi bërë së bashku.
Përderisa kremtonim atë ditë, e dija se ky ishte një kulmim i mrekullueshëm, por që përbënte vetëm një fillim të rëndësishëm.
Trashëgimia e Kosovës së lirë dhe demokratike sapo ka filluar të shkruhet, dhe para nesh mbetet shumë punë për ta bërë atë një rrëfim të suksesit.
Do të jenë shpresat dhe ëndrrat tuaja ato që do të përcaktojnë se si do të jetë ky vend.
Ajo që Qeveria ime, brezi im, bashkëluftëtarët e mi kemi arritur është vetëm fillimi për Kosovën. – Ne jemi duke i vënë themelet.
Tashmë e kemi pavarësinë, njohjen nga 60 vende dhe anëtarësimin në Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Ju jeni ata që do të ndërtoni trashëgiminë ndërkombëtare të Kosovës.
Ju do të jeni gjenerata që do të zgjidhni çështjet komplekse siç është përmbushja e synimeve strategjike shtetërore të Kosovës, duke qenë në të njëjtën kohë një anëtar i përgjegjshëm i familjes euroatlantike, NATO-s dhe Bashkimit Evropian.
Prej jush do të kërkohet t’u ndihmoni njerëzve, të cilët kanë nevojë për ndihmën tuaj, mu ashtu sikur të tjerët na dolën krah në ditë të vështira.
Ne kemi hedhur hapa të mëdhenj përpara në përmirësimin e infrastrukturës së Kosovës dhe për ta bërë ekonominë e Kosovës të fuqishme dhe të qëndrueshme:
Kemi ndërtuar me qindra kilometra rrugë të reja.
Kemi prodhuar rrymë më shumë se kurdoherë më parë.
Kemi krijuar vende pune, përkundër krizës më të rëndë ekonomike, që ka kapluar botën që nga Depresioni i Madh.
Por, ju do të jeni brezi që garanton zhvillimin e Kosovës.
Ju jeni brezi i mundësive të pakufishme dhe i përgjegjësive të mëdha.
Por, ashtu sikur vepruam ne, ndaluni një çast, mendoni për këtë vend të mrekullueshëm, për njerëzit e Kosovës, të cilët ju po mundoheni t’i inkurajoni dhe t’i ndihmoni të përmirësojnë jetën e tyre.
Mos ngurroni të bëni gjëra të vogla.
Të arriturat më të mëdha në histori janë realizuar nga njerëzit që kanë pasur guxim të hedhin hapin e parë përpara, nga ata të cilët u vunë në ballë të ndryshimeve dhe gjetën hapin e radhës.
Kosova krenohet me të arriturat tuaja deri më tash dhe Kosova i gëzohet përparimit tuaj.
Kur ju shoh në këtë sallë, fytyrat e ndritura dhe të entuziazmuara përplot shpresë e mundësi, e di se ju do të merrni në dorë pishtarin e Kosovës dhe do të vazhdoni më tej në rrugën e zhvillimit, barazisë, lirisë dhe dinjitetit.
Mezi pres t’u shoh ta bëni këtë.
Urime ju studentëve, prindërve, profesorëve, dhe të gjithë atyre që ju ndihmuan të arrini deri këtu!
Urime për klasën e të diplomuarve 2009!
Ju faleminderit!
Last modified: 27 Maj, 2009