Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Izolim për Kosovën nuk do të ketë, do të ketë vetëm integrim në NATO dhe BE

3 Mars, 2012

Prishtinë, 3 mars 2012

Në konferencën e sotme për media, kryeministri Hashim Thaçi është përgjigjur në interesimin e medias lidhur me çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me zhvillimet politike në vend.

Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve rreth implementimit të Pakos së Ahtisaarit në veri të Kosovës, kryeministri Thaçi ka theksuar:

“Plani për veriun është, Kosova është unike, e respektuar në kuptim të integritetit territorial dhe e njohur ndërkombëtarisht,me dokumentin e presidentit Ahtisari të cilin duhet ta implementojmë të gjithë së bashku. Kemi mbështetjen e plotë ndërkombëtar dhe me bindje të plotë them se do të lëvizim përpara drejt ligjshmërisë, rendit demokratik, zgjedhjeve të lira, zgjedhjes së liderëve legjitim dhe investimeve socio-ekonomike. Dialogu në mes Kosovës dhe qytetarëve serbë në veri do të ndodhë në të ardhmen, dialogu ky që do të përshpejtojë procesin e integrimit të tyre në institucione në nivel qendror dhe ato lokale”.

Ndërsa, lidhur me deklaratën e presidentit serb Tadiq për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë, si dhe interpretimit të Kushtetutës së Serbisë në raport me Kosovën, kryeministri Thaçi ka thënë:

“Unë nuk i komentoj kushtetuat e vendeve tjera, mund të shkruajnë çfarë të duan, por Kosova është vend sovran dhe i pavarur, i njohur nga 88 shtete të fuqishme botërore. Serbia ka obligim të sillet në mënyrë evropiane në raport me Republikën e Kosovës dhe të gjithë fqinjët, andaj presim që të kemi një përkushtim të vendosur të qëndrimit dhe respektimit të kritereve evropiane  edhe nga Serbia. Ndryshe, do të shfrytëzojmë gjithë autoritetin ligjor dhe kushtetues të forcës sonë demokratike për rend demokratik, zgjedhje të lira në kuadër të ligjeve të Kosovës dhe njohjes së institucioneve të Kosovës prej qyetarëve që duan të marrin pjesë në zgjedhje që do t’i organizojmë”.

Kryeministri Thaçi në konferencën e sotme ka folur edhe për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për përshpejtimin e procesit të integrimit evropian dhe për pranimin e opinionit të GJND-së dhe të Deklaratës së Pavarësisë nga ana e Serbisë: 

“Mbështetja e BE-së pa asnjë dallim nga vendet që e kanë njohur dhe nuk e kanë njohur Kosovë është unike për perspektivën evropiane për repubikën e Kosovës. Ka një lëvizje përpara sepse disa nga këto vende që nuk e kanë njohur Kosovë dhe që janë pjesë e BE-së kanë treguar gatishmërinë e tyre për të votuar për anëtarësimin e Kosovës në BERZH. Kemi një hap përpara në drejtim të pranueshmërisë së realitetit të shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës.

Për Kosovën do të ketë lëvizje përpara, për Kosovën do të ketë një qëndrim mëbshtetes gjithë ndërkombëtar, për Kosovën ka filluar një etapë e re, kapitulli i Kosovës evropiane. Me marrëveshjet e arritura Kosova i ka ndihmuar vetvetes dhe evropianizimit të rajonit. Studimi i fizibilitetit ishte planifikuar të ndodhte pas 2-3 vitesh, por ndodhi tani në saje te orientimit tonë perëndimor dhe marrëveshjes së arritur mes qeverisë, SHBA, dhe BE. 

Kosova dhe Serbia nuk mund ta pengojmë njëra-tjetrën, por natyrisht se kemi obligime dhe përgjegjësi ndërkombëtare që janë edhe vlera të sistemeve tona, në veçanti për Prishtinën që të sillet në mënyrë evropiane me të gjithë fqinjët dhe në këtë drejtim edhe Kosova edhe Serbia si shtete të pavarura do të integrohet edhe në NATO edhe në BE.

Kosova nuk ka pranuar asgjë. Rezoluta 1244 ka qenë si e tillë dhe është rezultat e vetos ruse në KS, por Serbia ka pranuar opinionin e GJND-së dhe Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, që në një formë apo tjetër është njohje e Serbisë për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. Ndërsa në të njëjtën kohë pa dashur ballafaqim me aski, unë do t’i pyesja kritikët e këtyre konkluzioneve dhe të kufirit të menaxhuar të kufirit, se  cila ka qenë alternativa. Izolimi, unë them jo. Izolim për Kosovën nuk do të ketë, do të ketë vetëm integrim në NATO dhe BE”.

Në pyetjen në vazhdim, lidhur me kohëzgjatjen e Studimit të fizibilitetit dhe nënshkrimit të Marrëveshja për stabilizim asocim, kryeministri Thaçi është përgjigjur:

“Zakonisht vendeve tjera të rajonit ky proces nga momenti i studimit të fizibilitetit deri në nënshkrimin e marrëveshjes së stabilizim asociomit ka zgjatur nga 1 deri në 1 vit e gjysmë, por unë besoj se Kosova do ti implementoj gjitha kriteret, standardet e nevojshme në një afat rekord. Pres që brenda vitit ti përmbyllim suksesshëm, por pres mbështetjen e të gjithëve që të punojmë bashkërisht për integrim”.

Në fund, kryeministri Thaçi është përgjigjur në interesimin e medias lidhur me veprimin e strukturave paralele në veri të Kosovës:

“Në çdo cep të territorit do të ketë ligjshmëri, dhe nuk do të ketë struktura kriminale, apo struktura të sigurisë së ndonjë vendi fqinjë. Ata që pretendojnë të bëjnë veprime të paligjshme do të ballafaqohen me drejtësinë, por në çdo rrethanë do të ketë respektim të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës”.

Last modified: 3 Mars, 2012

Comments are closed.