Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Institucionet më të larta botërore e kanë legalizuar dhe legjitimuar në aspektin juridik dhe politik shtetin sovran dhe të pavarur të Kosovës

13 Shtator, 2010

Prishtinë, 13 shtator 2010

Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar sot mbledhjen e saj të rregullt, të 144-tën me radhë, në të cilën kryeministri Hashim Thaçi ka informuar kabinetin qeveritar në mënyrë të hollësishme për miratimin e Rezolutës për Kosovën në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Në vazhdim po japim, thekse nga fjala e kryeministrit Thaçi në mbledhjen e sotme të qeverisë:

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës më lejoni të shpreh konsideratat për zhvillimet shumë pozitive në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për vendin tonë, të ardhmen e Kosovës dhe rajonin.

Pjesëmarrja e delegacionit më të lartë shtetëror të Kosovës për herë të parë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara ishte legjitime, legale dhe shumë dinjitetshme. Pjesëmarrja ishte konfirmuar zyrtarisht nga Sekretariati i Asamblesë. Kjo ndodhi për herë të parë për Kosovën, dhe mund të them lirisht se është një histori e re dhe relacion i ri dhe fuqiplotë i shtetit të Kosovës në raport me Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Qeveria e Republikës së Kosovës e ka mirëpritur një Rezolutë të tillë, që respekton vullnetin e qytetarëve të vendit tonë, dhe mendimin e opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i cili ka konfirmuar shumë qartë se pavarësia e Kosovës është plotësisht në përputhshmëri me të drejtën ndërkombëtare.

Edhe tërheqja e draft-rezolutës së propozuar nga Serbia ishte një lajm i mirë për Kosovën, por në të njëjtën kohë ishte një humbje e madhe për Serbinë. Ne e kemi mirëpritur Rezolutën e re, të sponsorizuar nga të gjitha vendet e BE dhe përkrahur nga SHBA-të dhe vendet tjera. Dëshiroj të shpreh falënderimin për botën demokratike, për BE-në, për SHBA-të për mesazhet e drejta dhënë Beogradit. Ky është hap i parë i ndryshimit të kursit të politikës së Serbisë në raport me Kosovën edhe me rajonin.

Duke pranuar rezultatin që njeh mendimin e GJND-së prej tyre 192 shtete kanë njohur vullnetin e popullit të Kosovës për shtet të pavarur dhe sovran, kanë njohur sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Për këtë sukses të ri të Kosovës sot duhet të ndjehet krenar secili qytetar i Republikës së Kosovës, sepse fitorja e radhës e shtetit të Kosovës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB ishte meritore dhe shumë e dinjitetshme.

Kjo rezolutë e ka legjitimuar përfundimisht politikisht mendimin e GJND-së. Me këtë rezolutë OKB ka lëvizur pozitivisht në qëndrimin e saj në raport me Kosovën dhe u ka hapë rrugë edhe vendimeve tjera që e njohin vullnetin tonë për shtet të pavarur dhe sovran. Rezoluta e fuqizon shtetin tonë dhe garanton plotësisht tërësinë territoriale të Republikës së Kosovës. Rezoluta e re e AP të OKB-së hapë perspektivë për njohje të reja dhe për anëtarësim të shtetit të Kosovës në të gjitha institucionet dhe mekanizmat ndërkombëtarë.

Ne do të vazhdojmë të jemi partnerë i qëndrueshëm besnikë, dhe partnerë meritorë i BE-së, dhe i SHBA-ve. Garantojmë qytetarët tanë se dilema për të ardhmen e Kosovës si shtet nuk ka, për qytetarët tanë do të ketë të ardhme të sigurt. Do të kemi përkushtim të plotë për përmirësimin e jetës së tyre, për vazhdim të qeverisjes së mirë, të sundimit të ligjit, të qeverisjes efektive, të respektimit të implementimit të standardeve demokratike qoftë në politikë, ekonomik, legjislacion, në mënyrë që të përshpejtohet procesi i anëtarësimit të shtetit të Kosovës edhe në NATO, edhe në BE.

Sot lirisht mund të themi se bota, respektivisht institucionet më të larta botërore e kanë legalizuar dhe legjitimuar në aspektin juridik dhe politik shtetin sovran dhe të pavarur të Kosovës. Këto suksese kanë peshën e vet historike për vendin tonë, dhe për rajonin, por edhe për investimet e komunitetit ndërkombëtar në Republikën e Kosovës dhe për gjithë rajonin tonë.

Për këtë sukses ka kontribut çdo qytetar i Republikës së Kosovës, me sjelljen e vet dhe kulturën shtetërore, me tolerancën ndëretnike. Kemi shënuar një sukses të jashtëzakonshëm, mund të them, i munguar për Republikën dhe popullin e Kosovës, por në të njëjtën kohë janë hapur edhe ballafaqime dhe sfida të reja të cilat lidershipi dhe institucionet e Kosovës do të jenë të përgjegjshme për procesin e liberalizimit të vizave.

Është momenti që udhërrëfyesi apo strategjia t’u dorëzohet institucioneve të  Kosovës nga Komisioni Evropian, në mënyrë që të marrim angazhime shtesë dhe përgjegjësi shtesë në këtë proces të domosdoshëm për qytetarët e Kosovës dhe pastaj të vazhdojmë me hapa edhe më të shpejtë drejt anëtarësimit në NATO, BE dhe OKB.

Qeveria e Kosovës duke respektuar maksimalisht transparencën dhe përgjegjësinë shtetërore, por edhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës për hapat e mëtutjeshëm që do të ndërmerren edhe sa iu përket dhe obligimeve që dalin për Kosovën nga kjo rezolutë, veprimet e mëtutjeshme do të jenë të koordinuara me Kuvendin e Republikës së Kosovës, Presidencën dhe institucionet tjera relevante, dhe një bashkëpunim të ngushtë me BE dhe SHBA.

Po ashtu, dua t’ju njoftoj që gjatë kësaj periudhe si Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës kam zhvilluar edhe vizitë me ftesë të liderit të Katarit, ftesë për Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe Kryeministrin e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Edhe shteti i Katarit ka konfirmuar, në takimet që kam zhvilluar me zëvendësemirin, me kryeministrin e Katarit dhe me autoritetet tjera të larta shtetërore, është konfirmuar njohja e pavarësisë së Kosovës, duke theksuar se ai është një proces i përmbyllur tanimë për Katarin, por që do të formalizohet në të ardhmen shumë të afërt.

Gjithë ky progres që po ndodh për Kosovën është edhe rezultat i punëve të mira që po ndodhin në Kosovë i qeverisjes së mirë, por edhe i një imazhi të mirë që kemi dërguar për Kosovën dhe botën demokratike.

Last modified: 13 Shtator, 2010

Comments are closed.