Prishtinë, 31 maj 2010
Fjala e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në konferencën për media, pas takimit që pati me kryeprokurorin e Shtetit, Ismet Kabashi dhe me ushtruesin e detyrës së Drejtorit të Policisë së Kosovës, Behar Selimi
Sapo zhvillova një takim jashtëzakonisht të suksesshëm me kryeprokurorin e Kosovës, z.Kabashi, gjithashtu me ministrin e Punëve të Brendshme, z.Rexhepi dhe ushtruesin e detyrës së Drejtorit të Policisë, z.Selimi, me të cilët bisedova për rendin dhe sigurinë, sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës dhe për angazhimet tona prioritare, të cilat i kemi si institucione të Republikës së Kosovës.
Shpreh falënderimin tim për punën e të gjitha institucioneve të Kosovës në këtë drejtim, një punë kjo që kërkon vullnet, përgjegjësi, vendosmëri të lartë në respektimin e plotë të kushtetutshmërisë dhe ligjeve të Republikës së Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet relevante ndërkombëtare.
Diskutuam edhe për hapat tonë të mëtutjeshëm, të cilët do të jenë jashtëzakonisht të rëndësishëm për sundimin e ligjit në Republikës e Kosovës.
Dëshiroj të theksoj se ishte konstatim i përbashkët, edhe i MPB-së, i shefit të policisë dhe kryeprokurorit, që të punohet ngushtë në të gjitha sferat e domosdoshme të bashkëpunimit.
Në këtë drejtim dua të potencoj se institucionet e Kosovës po përballen sot dhe do të përballen edhe në të ardhmen me fenomenet në të cilat ne duhet të marrim rolin udhëheqës që edhe na takon.
Në këtë drejtim unë kam shprehur qëndrimin tim edhe në Parlamentin e Kosovës, edhe në takimet tjera edhe të hapura edhe të mbyllura me të gjitha autoritetet relevante ndërkombëtare dhe vlerësoj se është kruciale në suksesin e institucioneve të Kosovës, në progresin e Kosovës, në fushën e rendit e ligjit, ndërtimit të demokracisë, të perspektivës euroatlantike të vendit tonë, që të punojnë ngushtë të gjitha institucionet dhe të kenë përkrahjen e plotë nga mekanizmat më të lartë të shtetit të Kosovës.
E kam potencuar se institucionet e Kosovës do ta udhëheqin edhe luftën apo betejën kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar dhe të gjitha dukurive negative.
Prandaj, edhe bashkëpunimi me EULEX-in dhe mekanizmat tjerë do të jetë i ngushtë dhe mbështetës për suksesin e Kosovës.
Jam i bindur se edhe këtë betejë do ta fitojmë, me vendosmërinë, guximin, këmbëngulësinë dhe sundimin e ligjit.
Institucionet e Kosovës kanë ndërtuar dhe po fuqizojnë kapacitetin e vet për të udhëhequr luftën, betejën kundër fenomeneve negative, kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar dhe të gjitha devijimeve që mund të paraqiten.
Në këtë drejtim kam diskutuar shumë hapur edhe me kryeprokurorin, edhe me ministrinë e Punëve të Brendshme, shefin e Policisë dhe e çmoj shumë vendosmërinë e tyre për të lëvizur edhe më shpejt, në mënyrë më cilësore që toleranca ndaj korrupsionit të vazhdojë të jetë zero.
Unë do të vazhdoj të jem udhëheqës i kësaj beteje me mbështetje të plotë nga të gjitha institucionet kosovare, të rendit dhe ligjit dhe përgjegjës i bashkëpunimit të ngushtë me të gjitha autoritetet ndërkombëtare.
Pra, që beteja kundër korrupsionit e krimit të organizuar dhe të gjitha dukurive negative të udhëhiqet nga institucionet kosovare.
Kemi ndërtuar kapacitetet e plota, kemi mundësi aftësi dhe guximin për t’u përballur me këtë të keqe, si dhe rolin lehtësues, mbështetës dhe mbikëqyrës, të luajnë gjithashtu autoritetet ndërkombëtare – EULEX-i.
Falënderoj për këtë përkushtim dhe këtë vendosmëri të gjitha autoritetet relevante, Kryeprokurorin, autoritetet policore të Kosovës dhe të gjithë mekanizmat për përgjegjësitë e tyre të treguar dhe që do të tregojnë edhe në të ardhmen, përgjegjësinë kushtetuese dhe ligjore.
Në vazhdim po e prezantojmë të plotë edhe deklaratën e Kryeprokurorit të Shtetit, Ismet Kabashi
Arritëm konsensus të përgjithshëm që prokuroria duhet t’i kryejë detyrat e veta kushtetuese, duke pasur parasysh se vlerësojmë që korrupsioni dhe krimi i organizuar janë dy pengesat kryesore të zhvillimit të Kosovës.
Me rastin e marrjes së portit të kryeprokurorit, e kam thënë se prioritet themelor do të jetë lufta e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Në këtë drejtim kemi zhvilluar dhe arritur një bashkëpunim shumë të mirë me Agjencionin Kosovar kundër Korrupsionit se sa që kemi pasur më parë.
Përveç përkrahjes politike që deri më tani e kemi pasur si nga Kryeministri, Presidenti dhe Kryeparlamentari, që duhet ta luftojmë këtë krim, ne në takimin e sotëm morëm edhe njëherë mbështetjen e Kryeministrit, jo vetëm mbështetjen politike, por zotimin e tij që në kuadër të kompetencave të veta, nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, do të ndikojë që të plotësohen resurset njerëzore domosdoshme në prokurori.
Prokurorët e Kosovës kanë kapacitet, guxim dhe vullnet që të merren me lëndët më të rënda të krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Last modified: 31 Maj, 2010