Prishtinë, 7 tetor 2010
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i ka dërguar një telegram urimi homologut të tij, kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha dhe gjithë qytetarëve të Shqipërisë, me rastin e miratimit nga ana e Parlamentit Evropian të propozimit të Komisionit Evropian për heqjen e regjimit të vizave për Shqipërinë.
Në telegram thuhet:
I nderuari kryeministër Berisha,
Me gëzim të madh morëm lajmin për miratimin nga ana e Parlamentit Evropian të raportit për liberalizimin e vizave për Republikën e Shqipërisë.
Pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, kjo është edhe një arritje e madhe për Qeverinë tuaj, për spektrin politik shqiptar dhe për gjithë qytetarët e Shqipërisë.
Ky sukeses shumë përmbajtësor dëshmon për progresin e gjithmbarshëm që ka arritur Republika e Shqipërisë në rrugën e sigurtë të integrimit në Bashkimin Evropian. Liberalizimi i vizave për Shqipërinë është një sukses jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë rajonin.
Edhe Republika e Kosovës është duke ecur me hapa të sigurtë drejt integrimeve evropiane. Qeveria e Republikës së Kosovës ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave. Ne tani jemi të gatshëm dhe po e presim pranimin e udhërrëfyesit për liberalizimit të vizave për Republikën e Kosovës.
I nderuari kryeministër Berisha,
Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosoëvs dhe në emrin tim dua t’ju përgëzoj ju, qeverinë që drejtoni, spektrin politik dhe gjithë qytetarët e Shqipërisë për këtë arritje të madhe në rrugën e integrimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
E rithksojmë se perspektiva e Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, si dhe e gjithë shteteve të rajonit është Bashkimi Evropian, janë vlerat evropiane.
Në përmbushjen e plotë të kritereve për anëtarësim në BE, thellimi i bashkëpunimit rajonal, për të cilin unë dhe Qeveria e Republikës së Kosovës jemi të përkushtuar në vazhdimësi, do të jetë shembulli i mirë i përmbushjes së plotë të kritereve dhe standardeve të BE-së.
Hashim Thaçi,
Kryeministër i Republikës së Kosovës
Last modified: 7 Tetor, 2010