Prishtinë, 11 shtator 2010
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i ka dërguar një telegram presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama dhe gjithë qytetarëve të SHBA-ve, me rastin e përkujtimit të nëntë vjetorit të sulmeve të 11 shtatorit.
Në telegram thuhet:
I nderuar president Obama,
Të nderuar qytetarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës,
Sot po mbushen nëntë vjet nga sulmet terroriste të 11 shtatorit, ku humbën jetën mijëra qytetarë amerikanë.
Këto sulme qyqare, duke goditur shtetin dhe popullin që simbolizon vlerat më të larta të lirisë dhe demokracisë, të paqes, të tolerancës dhe të zhvillimit të gjithmbarshëm – SHBA-të, ishin një goditje e rëndë për gjithë botën e civilizuar, për gjithë njerëzimin.
Sot, pas nëntë vitesh të sulmeve të 11 shtatorit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë fuqizuar edhe më shumë rolin e tyre në ndërtimin e paqes, të stabilitetit, të bashkëpunimit dhe zhvillimit për të gjitha vendet dhe popujt e botës.
Qeveria dhe populli i Kosovës do të jetë përherë me ju në këtë rrugë, duke qenë mirënjohëse për mbështetjen e qeverisë dhe popullit amerikan për arritjen e lirisë, demokracisë, pavarësisë dhe zhvillimit të shtetit të ri të Kosovës.
Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, pranoni ndjenjat më të larta të solidaritetit me ju zotëri president, me qeverinë amerikane dhe me popullin amerikan, në këtë ditë të shënimit të nëntë vjetorit të dhembjes së madhe për mbarë botën demokratike.
Hashim Thaçi,
Kryeministër i Republikës së Kosovës
Last modified: 11 Shtator, 2010