Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Futja e kapitalit dhe menaxhimit privat në punët dhe shërbimet publike lehtëson kufizimet fiskale dhe rrisë efikasitetin

27 Janar, 2010

Fjala e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në Konferencën e Ofertuesve – Partneriteti Publiko-Privat në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës

Prishtinë, 27 janar 2010

Të nderuar ambasadorë,
Të nderuar përfaqësues të USAID-it, Komisionit Evropian, Bankës Botërore,

Fillimisht ju dëshiroj mirëseardhje, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës në këtë konferencë të rëndësishme ofertuese për Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

Kam kënaqësinë që të shoh sot këtu shumë partnerë dhe miq të Kosovës. Një mirëseardhje të veçantë ju uroj kompanive dhe konsorciumeve të cilat janë para kualifikuar për të marrë pjesë si ofertues në tenderin konkurrues për Partneritetin Publiko-Privat për Operimin dhe zgjerimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.  

Shifrat që ju keni ofruar flasin vetë, dhe ne jemi të nderuar kur shohim nivelin e interesimit tuaj për të qenë partnerë të Qeverisë së Kosovës në këtë projekt kaq të rëndësishëm.

Konferenca e sotme është vërtetë shumë e rëndësishme. Në korrik te vitit 2008, Qeveria, përmes një vendimi të saj krijoi një kornizë të politikave ku u tregua edhe përkrahja e saj e qartë për zbatimin e partneriteteve publiko-private si mjet i stimulimit të investimeve në infrastrukturën publike dhe ofrimit të shërbimeve publike.

Sot, pas përpjekjeve të palodhshme për të krijuar një kornizë ligjore, institucionale, dhe rregullative për partneritetet publiko-private, ne qëndrojmë përpara një grupi kompanish ndërkombëtare serioze dhe shumë të respektuar. Ato janë të gatshme për të bërë një zotim afatgjatë për të ardhmen e Kosovës.

Të gjithë e dimë se Kosova ka nevojë urgjente për investime të mëtejshme në infrastrukturën dhe shërbimet publike nëpër sektorë të ndryshëm. Gjithashtu dihet se Qeveria e Kosovës, institucionet e saj, dhe ndërmarrjet publike kanë burime të kufizuara financiare dhe duhet të ushtrojnë kujdes të madh financiar për të siguruar një rritje të qëndrueshme ekonomike.   

Për këtë arsye, ne angazhohemi për partneritetet publiko-private. Futja e kapitalit dhe menaxhimit privat në punët dhe shërbimet publike mund të lehtësojë kufizimet fiskale dhe të rrisë efikasitetin, duke u kujdesur në të njëjtën kohë për infrastrukturën dhe shërbimet e reja.

Me pjesëmarrjen e një partneri privat në drejtimin dhe zgjerimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës ne parashikojmë shërbime të përmirësuara dhe infrastrukturë të zgjeruar dhe gjenerim të burimeve shtesë për Qeverinë. Partneri privat do të investojë paratë e veta në aeroportin tonë.

Publiku do të përfitojë nga një ndërtesë terminali të ri dhe modern, i cili do të akomodojë numër të madh të udhëtarëve dhe shoqërive ajrore, që janë gjithnjë e në rritje.

Udhëtarët dhe shoqëritë ajrore do të përfitojnë gjithashtu edhe nga shërbimi i përmirësuar dhe i zgjeruar i ofruar në aeroport.

Po ashtu, Qeveria do të fillojë të marrë një pjesë të përfitimeve të aeroportit, duke krijuar kështu të hyra shtesë të cilat do t’i investojmë për prioritete të tjera sociale.

Le të bëjmë të qartë diçka, ne nuk po “privatizojmë” Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. Ne nuk po shesim pasuritë apo aksionet e aeroportit, të cilat u takojnë të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Ne thjesht po i drejtohemi një partneriteti me një operator privat që është kompetent dhe ka përvojë të madhe dhe do të investojë afër 100 milionë euro në vitet e ardhshme. Në këtë mënyrë, ne shpresojmë të bëjmë të mundur që Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës të jetë më i miri dhe më konkurruesi në rajon për dekadat që do të vijnë.

Ashtu siç jemi zotuar në partneritetet publiko private dhe investimet private në infrastrukturën publike, ne po ashtu jemi të palëkundur në zotimin tonë për të garantuar që këto projekte të reflektojnë një bilanc optimal të rreziqeve dhe shpërblimeve që i fitojnë të gjitha palët.

Në ndërkohë ne jemi zotuar vendosmërisht për të zbatuar partneritetet publiko-private përmes procedurave konkurruese, të drejta, dhe transparente. Ne po ashtu do të kërkojmë nga të gjitha palët e marrëveshjes, pa përjashtim, që t’i përmbushin plotësisht obligimet e tyre.

Kjo është mundësi që i emocionon të gjithë atë që janë të përfshirë në këtë proces. Kosova, si një shtet i ri ka shumë potenciale të mira që do ta bënin këtë projekt atraktiv për ofertuesit e mundshëm.

Si shtet i ri, ne gjithashtu ofrojmë një legjislacion modern dhe në pajtueshmëri me atë të BE-së, i cili krijon kornizën ligjore, dhe institucionale për partneritetet publiko-private. Republika e Kosovës u ofron investitorëve një mundësi të drejtë, të hapur, dhe transparente.

Parë nga perspektiva e Qeverisë, ky projekt na ofron neve mundësinë e parë për të tërhequr investime afatgjate dhe ekspertizë private për punët dhe shërbimet publike. Ai gjithashtu i ofron popullit të Kosovës mundësi të reja punësimi dhe për biznes.

Edhe pse ka ende shumë punë për të bërë, përpara se të paraqitni ofertat e juaja me lejoni t’ju garantoj të gjithë ofertuesit e kualifikuar se Republika e Kosovës është e zotuar plotësisht në këtë projekt madhor.

Ne e mirëpresim interesimin tuaj në këtë projekt dhe do të punojmë pa u lodhur në muajt në vijim për të siguruar që ky projekt të te jetë i suksesshëm. 

Në fund, dëshiroj t’i falënderoj edhe një herë të gjithë ofertuesit për përgatitjet dhe interesimin e tyre. Ky është vetëm një hap në një udhëtim të gjatë, por është një hap të cilin do ta bëjmë së bashku.  

Faleminderit

Last modified: 27 Janar, 2010

Comments are closed.