Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Fryma e tolerancës fetare gjithmonë ka qenë prezente në Republikën e Kosovës dhe është model për gjithë rajonin

26 Gusht, 2010

Prishtinë, 26 gusht 2010

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi shtron iftar për krerët e Bashkësisë Islame të Kosovës. Në iftarin e shtruar nga kryeministri Thaçi në ambientet e hotelit “Viktoria” në Prishtinë kanë marrë pjesë, përfaqësues të ICO-së, ambasadorë të akredituar në Prishtinë,  liderë të partive politike, ministra , deputet dhe mysafirë të tjerë.

Në një fjalë rasti në darkën e iftarit, kryeministri Hashim Thaçi ka përshëndetur në emrin e tij dhe të Qeverisë së Kosovës të gjithë të ftuarit dhe ka falënderuar për pjesëmarrjen në këtë iftar.

“Jemi në një muaj që sprovon pastërtinë e shpirtit, durimin, disiplinën, solidaritetin dhe bashkimin. Gëzimit për fitore dhe shikimit kah e ardhmja. Fryma e tolerancës fetare gjithmonë ka qenë prezente në Republikën e Kosovës dhe se Kosova është model i kësaj fryme në gjithë rajonin për ndërtimin e një shteti demokratik, të tolerancës të mirëkuptimit të frymës së bashkëpunimit dhe besoj se kjo filozofi e jona do të na jep më shumë vlera shpirtërore por edhe në të njëjtën kohë edhe materiale” tha kryeministri Thaçi.

Më tutje z. Thaçi ftoi që të  vazhdohet në rrugën e konsolidimit dhe forcimit të shtetit tonë, natyrisht  integrimit në NATO, Bashkimin Evropian dhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

“Ditët e Bajramit po afrohen, dhe besoj se edhe dita e mbajtjes së Asamblesë së  Përgjithshme të OKB’ së do të bie në ditët e Bajramit, shpresojmë që  ky do të jetë një Bajram i madh për Kosovën”, theksoi kryeministri Hashim Thaçi.

Në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës ka falënderuar  myftiu Naim Tërnava.

Last modified: 26 Gusht, 2010

Comments are closed.