Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi falënderon Qeverinë e Emirateve të Bashkuara për njohjen e Republikës së Kosovës, shtet të pavarur, sovran dhe demokratik

15 Tetor, 2008

Prishtinë,  15 tetor 2008
 
Me rastin e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Emiratet e Bashkuara Arabe, kryeministri Hashim Thaçi në konferencën e sotme  për shtyp, ka deklaruar:
 
Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës falënderoj Qeverinë e Emirateve të Bashkuara për njohjen e Republikës së Kosovës, shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. Ky falënderim dhe respekt shkon në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emër të qytetarëve të saj.
 
Njohjeve të njëpasnjëshme, dhe të fuqishme, të Republikës së Kosovës, po ju bashkohen tani edhe shtetet arabe. Ne fuqishëm besojmë, që njohja nga Emiratet e Bashkuara Arabe do të vazhdojë edhe me njohjet nga vendet tjera arabe.
 
Ky është edhe një rezultat i përpjekjeve të suksesshme diplomatike të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe e mbështetjes së partnerëve dhe miqve tanë. Kjo tregon se Kosova ka vizion të qartë dhe ndikim diplomatik.
 
Republika e Kosovës do të ndërtojë raporte bilaterale me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe bashkëpunim të gjithanshëm për interesat e të dy vendeve dhe popujve tanë.
 
Pas njohjes nga fqinjët, Mali i Zi dhe Maqedonia, Republika e Kosovës pret njohje të reja në të ardhmen e afërt.
 
Vizoni i Kosovës është implementimi i reformave demokratike dhe integrimi i saj sa më i shpejtë dhe meritor në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Gjithashtu, presim shpejtë edhe përgjigje për anëtarësim të plotë të Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore.

Last modified: 15 Tetor, 2008

Comments are closed.

×