Prishtinë, 6 shkurt 2009
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot një delegacion të Parlamentit Evropian, të kryesuar nga z.Joost Lagendijk.
Në vazhdim po e japim të plotë deklaratën e kryeministrit Hashim Thaçi pas takimit:
Kisha kënaqësinë që të pranoj edhe zyrtarisht Rezolutën e Parlamentit Evropian për Kosovën. Ne punojmë tash e një vit për të gjitha këto përkushtime që të kemi sukses të plotë në Kosovë. Falënderoj dhe shpreh mirënjohjen më të lartë për iniciuesin, mbështetësit e këtij procesi shumë të rëndësishëm për pavarësinë e Kosovës, zotimin e Parlamentit Evropian për mbështetje për Kosovën, thirrjen e Parlamentit Evropian edhe për vendet tjera që ende nuk e kanë njohur pavarësinë, të njohin pavarësinë e Kosovës, sepse pavarësia e saj ka sjellë më tepër paqe, stabilitet, bashkëpunim rajonal dhe perspektivë evropiane.
Mbështetja e qëndrimit të plotë se respektimi dhe garantimi i integritetit territorial të Republikës së Kosovës, është një çështje madhore dhe jetike për suksesin tonë, mbështetja e plotë e punës e EULEX-it jo vetëm për shtrirjen në të gjithë territorin e Kosovës, por edhe për angazhim konkret.
Qeveria e Republikës së Kosovës mirëpret edhe sfidat që paraqiten në Rezolutë për të ardhmen e vendit tonë. Këto sfida janë edhe prioritete të qeverisë, për qeverisje të mirë, transparencë efektive, vazhdimin e betejës së pakompromis në luftë kundër korrupsionit, krimit të organizuar, nepotizmit, përkushtimeve të mëdha që të vazhdojmë së ndërtuari Kosovën, vend demokratik dhe shumetnik, bashkëpunimin edhe më të ngushtë të Kosovës me të gjitha institucionet relevante ndërkombëtare. Ne do të punojmë edhe më tej në aspektin e mekanizmave të sigurisë, duke vazhduar respektimin afirmativ për minoritarët, dhe duke vazhduar së punuari edhe zgjidhjen praktike të problemeve të tyre.
Do të kemi edhe përkushtime të tjera, që Kosova të bëhet së shpejti edhe pjesë e FMN-së dhe Bankës Botërore. Pra, kjo rezolutë përcakton qartë dhe mbështetjen e fuqishme të Parlamentit Evropian, por edhe zotimet tona se e ardhmja e Kosovës, është e sigurt një e ardhme evropiane, e zhvillimit ekonomik, e krijimit të vendeve të punës, mirëqenies sociale dhe respektimi i të gjitha kritereve demokratike.
Nga ana e tij, eurodeputeti z.Joost Lagendijk, që kryesoi delegacionin e Parlamentit Evropian, që po qëndron për vizitë në Kosovë, pas takimit me kryeministrin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, theksoi:
Jam i kënaqur të vij në Prishtinë vetëm një ditë pas miratimit të rezolutës së Parlamentit Evropian për Kosovën.
Në rezolutë mund të shihni dy mesazhe të rëndësishme:
– Mbështetje të fortë për shtrirjen e EULEX-it, si një mision më i madh i BE-së që kemi parë ndonjëherë. Rezoluta bënë të qartë se ne dëshirojmë të përfshihemi në fushën e doganave, policisë dhe gjyqësorit, dhe qëllimi yni është që EULEX-i të shtrihet në tërë territorin e Kosovës.
Shumë europarlamentar kanë folur fuqishëm ndaj çdo ideje për ndarjen e Kosovën, një ide për të cilën shumica e Parlamentit Evropian është kundër, gjë që edhe theksuar në rezolutë. Shtrirja e plotë e EULEX-it në tërë territorin e Kosovës siguron se një ndarje e tillë nuk do të ndodh.
– Mesazhi i dytë, ashtu siç u theksua nga kryeministri Thaçi, është një listë e gjatë e veprimeve të cilat qeveria duhet t’i adresoj, dhe nuk është lehtë që këto fusha si korrupsioni, decentralizimi, furnizimi i qëndrueshëm me energji, etj të adresohen shpejt dhe në mënyrë efikase.
Është një listë e gjatë, për të cilën thërrasim qeverinë të punojë me një përkushtim të lartë në këtë drejtim për të dëshmuar se kosovarët mund ta udhëheqin Kosovën, sepse kjo është ajo çka ne dhe populli i Kosovës dëshirojnë. Kjo është mënyra më e mirë për të dëshmuar të kundërtën skeptikëve, qoftë në Beograd qoftë dikund tjetër.
Për këtë jam i kënaqur që jam këtu, të përcjelli këto mesazhe të rëndësishme.
Për ne nuk ka kthim prapa, Kosova është e pavarur do të jetë e pavarur. Për këtë edhe jemi këtu dhe do të qëndrojmë deri sa Kosova të jetë një vend i suksesshëm.
Last modified: 6 Shkurt, 2009