Prishtinë, 6 mars 2013
Fjala e kryeministrit Thaçi në Akademinë përkujtimore kushtuar komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari
E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, znj. Jahjaga,
I nderuari kryeparlamentar Krasniqi
Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra, deputetë,
Shumë e nderuara familje Jashari,
Të nderuara familje të dëshmorëve,
Veteranë të UÇK-së, invalidë të UÇK-së
I nderuari president Sejdiu
I nderuari president Moisiu
I nderuari kryetar Daci
Të nderuar miq nga Shqipëria, personalitete të jetës politike dhe ushtarake
Bashkëluftëtarë të komandantit legjendar Adem Jashari
Të nderuar të gjithë ju të pranishëm
Figura të ndritura të kombit tonë
Pesëmbëdhjetë vjet më parë një ngjarje madhështore, origjinale dhe e papërsëritshme hyri në historinë e Kosovës. Përmasat e saj ishin universale për të hyrë në historinë e njerëzimit.
Historia e Kosovës prodhoi modelin unikat të sakrificës për liri:Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Epopenë e komandantit legjendar Adem Jashari dhe gjithë Jasharajve. Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të themeluar që në vitin 1992.
Fillimi i kësaj rezistence i hap rrugë çlirimit të vendit. Rezistencën e përmasave kombëtare të 5, 6 dhe 7 marsit 1998. Epopenë legjendare të shqiptarëve. Epopenë e Prekazit legjendar.
Epopeja e UÇK-së kishte bërë bashkë në një vend dhe në një kohë heroizmin universal njerëzor me atë kombëtar. Aty ishin Termopilet dhe Kruja njëkohësisht. Aty ishte Lidhja e Prizrenit dhe fundi i Luftës së Dytë Botërore. Aty ishte Hasan Prishtina dhe Shaban Polluzha. Aty ishte simboli i rezistencës kombëtare Adem Demaçi, aty ishte viti 1968, 1981, 1990, 1997. Vitet e kthesës së rezistencës sonë kombëtare.
Aty ishte historia. Aty ishte e ardhmja. Shqiptarët po përballeshin me armatën shekullore shtypëse të Kosovës. UÇK-ja po përballonte dhe sfidonte makinerinë njëshekullore të robërisë.
Ëndrra për lirinë e Kosovës po e ndante historinë në dysh. Në kohën e qëndresës para luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në kohën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte sublimuar tërë përpjekjet liridashëse të brezave për shekuj me radhë.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte projekti, organizmi dhe mekanizmi më i rëndësishëm politiko – ushtarak që kishte prodhuar lëvizja politike e përpjekjeve dhe rezistencës për liri dhe çlirim të Kosovës.
Epopeja e 5, 6 dhe 7 marsit bëri që UÇK-ja të masivizohej dhe përhapej kudo në Kosovë.
Bëri që të gjejë mbështetje politike, morale dhe materiale kudo ku kishte shqiptarë, në Kosovë, jashtë Kosovës dhe në diasporë.
Sakrifica e burrave dhe grave, e fëmijëve dhe të rinjve bëri që të zgjohet ndërgjegjja e botës, e opinionit publik ndërkombëtar, e qendrave të diplomacisë dhe politikës botërore. Sakrifica e Jasharëve legjendarë bëri që të rizgjohet vetëdija jonë kombëtare e politike.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte sublimuesja e drejtësisë së luftës për liri, e karakterit çlirimtar të përpjekjeve për largimin e sundimit të Serbisë nga Kosova.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e dalë nga gjiri i popullit, fitoi politikisht, moralisht dhe ushtarakisht mbi doktrinën dhe makinerinë ushtarake një shekullore serbe.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës me vizion perëndimor, mishërim të vlerave humaniste dhe demokratike me përgjegjësi historike mbylli kapitullin e çlirimit të Kosovës, duke fituar mbështetjen e botës Perëndimore.
Kjo e arritur ishte ëndërr e idealistëve, veprimtarëve dhe luftëtarëve për shekuj me radhë. Kjo e arritur ishte ëndrra e Jasharëve dhe gjithë atyre përreth tyre që atë ditë u flijuan në altarin e lirisë.
Të nderuar të pranishëm
Zonja dhe zotërinj,
Koha kalon. Bota mund të vjetrohet në kuptimin kalendarik. Bota mund të modernizohet në aspektin teknologjik. Por ekipi olimpik i lirisë mbetet i pazëvendësueshëm, i papërsëritshëm. Po ai gjak i tyre vazhdon t’i ujis rrënjët e lirisë së Kosovës.
Çmimi dhe sakrifica ka po atë saktësi dhe temperaturë. Aq sa ka ngrohtësia e gjakut të tyre. Aq sa ka saktësi origjinaliteti i jetës të së secilit, veç e veç. Liria e Kosovës ka saktësinë dhe precizitetin e papërsëritshëm të rënies së: Babait dhe veteranit Shaban Jashari, të komandantit legjendar Adem Jashari, të komandant Hamzës, Zahir Pajazitit, Luan e Shkëlzen Haradinajt, Bekim Berishës, Fehmi e Xhevë Lladrovcit, Mujë Krasniqit, Ahmet Kaçikut, Sali Çekut, Remzi Ademit, Agim Ramadanit dhe shumë komandantëve dhe drejtuesve tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Liria e Kosovës ka në themel rënien e ushtarit të përjetshëm. Jetën e mijëra dhe mijëra dëshmorëve të rënë në beteja, përpjekje, në aksione, në ballë të njësiteve, të brigadave, dhe kudo tjetër, gjithandej Kosovës.
Zonja dhe zotërinj,
Qeveria e Republikës së Kosovës, me kapacitetet dhe mundësitë e një shteti të ri, përkujdesjen ndaj atyre që dhanë kontribut për lirinë e Kosovës e ka ngritur në nivelin më të lartë institucional.
Nuk ka shpërblim as para që mund ta shpaguaj kontributin dhe sakrificën e familjeve të dëshmorëve, jemi të vetëdijshëm për këtë. Por, së paku, institucionet tona legjitime kanë bërë hapa në drejtim të mbrojtjes ligjore për kategorit e caktuara: për familjet e dëshmorëve, për invalidët e luftës, dhe jemi në përfundim e sipër për procesin e regjistrimit dhe marrjes së përgjegjësive shtetërore për të gjithë veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
E çlirimtarë të Kosovës janë të gjithë qytetarët, kudo që jetojnë, në Kosovë e në diasporë. Prandaj, secili nga ne, edhe si qytetarë, edhe me përgjegjësi institucionale, edhe si bashkëluftëtarë të komandantit legjendar Adem Jashari, duhet të ndihemi mirë dhe krenarë të gjithë, pa dallim politik, fetar dhe kudo që jetojmë.
Qeveria e Republikës së Kosovës me përgjegjësi të lartë institucionale udhëhiqet në të gjitha aktivitetet që kanë për qëllim avancimin e pozitës së Kosovës, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.
Kosova me sukses ka kaluar fazën e tranzicionit. Jemi të vetëdijshëm se duhet të bëjmë edhe më tepër. Kosova me sukses ka përmbushur kapacitetet qeverisëse, duke tejkaluar suksesshëm dhe me një vlerësim të lartë gjithë ndërkombëtarë të botës demokratike, për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.
Zonja dhe zotërinj,
Sot në këtë akademi jemi nga të gjitha viset shqiptare, të bashkuar në Prishtinë. Bartës të institucioneve të Republikës së Kosovës, presidenti Moisiu, bashkëluftëtarë të komandantit Adem Jashari nga Shqipëria, oficerë, ministra, janë bashkëluftëtarë të komandantit Adem Jashari nga Presheva, nga Maqedonia, nga Mali i Zi, nga diaspora. Prandaj, sot është një ditë e kujtimit, është një ditë edhe e bashkimit të të gjithë neve, të gjitha profileve institucionale, të botës akademike, ushtarake, dhe gjithë botës shqiptare kudo që jetojmë.
Sot jetën dhe veprën e komandantit legjendar Adem Jashari, Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e nderon Kosova, e nderojnë të gjithë shqiptarët.
Prandaj me një falënderim dhe mirënjohje i drejtohem të gjithë shqiptarëve, kudo që jetojnë, për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm për lirinë e Kosovës.
Ishte UÇK-ja që për herë të parë si kurrë ndonjëherë në histori, bashkoi shqiptarët në projektin e saj për çlirimin e Kosovës.
Falënderojmë Shqipërinë, qeveritë e Shqipërisë, politikën e Shqipërisë, popullin e Shqipërisë, për mbështetje të jashtëzakonshme për lirinë e Kosovës. Falënderojmë gjithë shqiptarët në Maqedoni për mbështetjen e tyre të jashtëzakonshme , ku secili hapi derën për çdo të zhvendosur dhunshëm nga Kosova. Gjithashtu falënderojmë shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, por edhe në Mal të Zi.
Një falënderim dhe mirënjohje e veçantë i shkon edhe diasporës tonë, që ndau edhe kafshatën e gojës për lirinë dhe çlirimin e Kosovës, si në Evropën Perëndimore poashtu edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Më lejoni që duke nderuar këto ditë të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të shprehim mirënjohjen dhe falënderimin e jashtëzakonshëm dhe të përjetshëm për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe NATO-n, që kontribuuan dhe na ndihmuan fuqishëm për çlirimin e vendit tonë.
Tani jemi në rrugë të sigurt, pas pesë viteve të pavarësisë, 14 viteve të lirisë sonë, për t’u integruar në NATO, Bashkimin Evropian dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Të nderuar të pranishëm
Zonja dhe zotërinj
Personalitete të nderuara të kombit tonë
Ju e dini se tani jemi në një fazë të rëndësishme të konsolidimit të shtetit të Kosovës, por edhe të përgjegjësive të mëdha kombëtare dhe institucionale.
Prandaj me respektin më të lartë më lejoni t’iu drejtohem edhe me mesazhin e zhvillimeve të fundit, siç iu drejtuam edhe në kohën e Rambujes, por edhe nga Vjena. Nga Rambujeja fituam lirinë dhe çlirimin, dhe nga procesi i Vjenës fituam shtetin e pavarur dhe sovran.
Ju e dini se tash ka filluar një proces i ndjeshëm i normalizimit të marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Por asnjë proces i normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore nuk do të fillonte pa lirinë dhe çlirimin e Kosovës, pa pavarësinë, pa sakrificën tonë, dhe ajo mbështetje as e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, as e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, nuk do të ndodhte pa lëvizur ne, pa UÇK-në, pa sakrificën e komandantit legjendar Adem Jashari, pa lavdinë e gjithë dëshmorëve të lirisë dhe pa sakrificat e jashtëzakonshme të të gjithë shqiptarëve.
UÇK-ja bashkoi Kosovën, dhe kur u bashkua Kosova, u bashkuan të gjithë shqiptarët. Kur u bashkuan gjithë shqiptarët, u bashkua edhe bota demokratike në mbështetje tonë.
Prandaj, e theksoj edhe njëherë se ka filluar një proces i përgjegjësive jo të lehta shtetërore, por historike, që përshpejton procesin e integrimit të Kosovës në NATO, në BE dhe në OKB.
Duke u nisur nga vlerat humaniste, duke u nisur nga përgjegjësitë kombëtare dhe shtetërore, dua të theksoj se edhe në këtë proces, Kosova si kurrë ndonjëherë është e përgatitur. Në Rambuje kemi shkuar duke zhvilluar luftë dhe fituam. Në Vjenë kemi shkuar në një proces të shtetëndërtimit, dhe e ndërtuam shtetin. Sot, shteti ynë është i njohur prej rreth 100 shteteve më të fuqishme botërore.
Jemi si kurrë ndonjëherë më të përgatitur , sepse jemi si kurrë ndonjëherë të bashkuar. Sepse për herë të parë kemi Kushtetutën dhe ligjet e shtetit tonë, të shkruar me sakrificën, djersën dhe gjakun e dëshmorëve të lirisë. Prandaj dua të theksoj që ky proces do të jetë në shërbim të konsolidimit dhe funksionimit të plotë të shtetit të Kosovës.
Prandaj dua të theksoj se edhe zërat që nuk i besuan UÇK-së, luftës së drejtë, që nuk i besuan lirisë, dhe sot mund të flasin për krijimin e një republike serbe, të një autonomie, të një statusi të veçantë, të një ndarje të Kosovës, të një Ahtisaari plus, janë zëra të cilët do të dështojnë.
Për Kosovën do të ketë vetëm funksionalizim të plotë të shtetit të pavarur dhe sovran.
Ju faleminderit.
Last modified: 14 Maj, 2022