Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: E kaluara nuk përsëritet vetëm kur drejt së ardhmes shkohet me vizion të qartë për të mirën e vendit

15 Janar, 2009

Prishtinë, 15 janar 2009
 
Fjalimi i kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në Orën Përkujtimore të organizuar me rastin e shënimit të dhjetë vjetorit të masakrës që forcat serbe kryen në Reçak të Shtimes.
 
Të nderuara familje të dëshmorëve,
Të nderuara familje të martirëve,
Zonja dhe zotërinj,
 
 
Sot po shënojmë dhjetëvjetorin e tragjedisë së Reçakut, për herë të parë në Kosovën e pavarur, sovrane dhe  demokratike.
 
Dhjetë vjet më parë emri i një fshati të Kosovës po hynte në analet historisë moderne të Kosovës.
 
Emri i Reçakut po hynte në analet e ndërgjegjes së njerëzimit.
 
Reçaku përjetoi goditjen e dorës së krimit.
 
Një akt i tragjedisë preku banorët e tij, burrat, gratë, pleqtë, të rinjtë.
 
Krimi në Reçak e mbushi përfundimisht kupën e dhunës, gjenocidit dhe krimit mbi popullatën e pafajshme, të nisur një shekull më parë.
 
Kjo ngjarje tragjike përshpejtoi dinamikën e proceseve diplomatike, politike dhe ushtarake.
 
Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte kaluar nëpër sprova të lavdishme për një vit të tërë.
 
Tragjedia e Reçakut përshpejtoi hapat e diplomacisë së botës demokratike, e cila po mbështeste gjithnjë e më shumë luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të  Kosovës.
 
Nuk do të kalonin as dy muaj dhe bota demokratike në krye me NATO-on,  do të vihej në mbrojtje të populli të Kosovës.
 
Ishte vizioni i qartë politik dhe strategjik i UÇK-së, rezistenca qytetare dhe intervenimi i NATO-s që shënuan fitore historike, duke çliruar përfundimisht Kosovën.
 
Kosova kaloi me sukses periudhën e tranzicionit, duke mbyllur plagët e luftës.
 
Në një periudhë të shkurtër nuk mund të ringritet një shoqëri e cila ka kaluar nëpër një periudhë të gjatë shtypjeje e shkatërrimi.
 
Por vullneti, përkushtimi dhe vizioni për një të ardhme të mirë nuk ka munguar asnjë çast.
 
Qytetarët dhe liderët e Kosovës kanë dëshmuar se janë mirënjohës dhe falënderues ndaj përkrahjes që i bëri bashkësia ndërkombëtare.
 
Në emër të qytetarëve të Kosovës falënderoi z. Uiliam Uoker, këtë mik të madh të së vërtetës, mik të madh të Kosovës, kur me  guxim të lartë qytetar u vu në anën e drejtësisë.
 
Qytetarët e   Kosovës dhe lidershipi i saj janë të vetëdijshëm se e kaluara e hidhur nuk harrohet.
 
E kaluara nuk përsëritet vetëm kur drejt së ardhmes shkohet me vizion të qartë për të mirën e vendit.
 
Zonja dhe zotërinj,
 
Kosova, pas dhjetë vjetësh të kësaj ngjarjeje, është shtet i pavarur dhe sovran.
 
Vetëm puna, nderi, përgjegjësia dhe përkushtimi për ndërtimin e institucioneve të shtetit të Kosovës justifikon rënien e dëshmorëve dhe martirëve, sakrifikimin e tyre për idealin e lartë të lirisë.
 
Qeveria e Republikës së Kosovës është duke i bërë të gjitha përpjekjet që sot Kosova të zhvillohet në të gjitha drejtimet.
 
Që të ketë siguri, paqe, përparim dhe ngritje të nivelit të jetesës.
 
Qeveria e Republikës së Kosovës është duke u angazhuar çdo ditë që të rritet mirëqenia dhe kujdesi ndaj familjeve të dëshmorëve, jetimëve dhe invalidëve të luftës dhe gjithë kategorive sociale.
 
Mbrojtja institucionale e këtyre kategorive është obligim shtetëror.
 
Si kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës do ta kenë mbështetjen time të plotë.
 
Qeveria e Kosovës me përgjegjësi të lartë punon çdo ditë që të jemi sa më parë pjesë e botës së përparuar, pjesë e integrimeve euroatlantike.
 
Kosova është vend në të cilin çdo qytetarë i saj ndjehet krenar..
 
Lavdi dëshmorëve!
Lavdi të rënëve!  

Last modified: 15 Janar, 2009

Comments are closed.