Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Duke investuar në edukim, ne po investojmë në të ardhmen tonë të sigurt

12 Mars, 2009

 

Prishtinë, 12 mars 2009

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, dhe udhëheqës i Kolegjit City pranë Fakultetit Internacional të Universitetit të Shefildit, në Selanik, Ioannis Ververidis, nënshkruan sot protokollin e bashkëpunimit në fushën e arsimit, që përfshin sigurimin e bursave për 25 studentë nga Kosova. Në takim ishte pranishëm edhe Ministri i MASHT-it, Enver Hoxhaj. 

Kryeministri Hashim Thaçi, pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit, theksoi:

“Edukimi ka qenë, është dhe do të mbetet prioriteti kryesor i Qeverisë së Republikës së Kosovës. Jemi të vetëdijshëm se duke investuar në edukim, ne po investojmë në të ardhmen tonë të sigurt. Nga ky protokoll bashkëpunimi do të rezultojë edukimi i shumë të rinjve jashtë vendit. Do të jetë një mundësi e re për përgatitjen e të rinjve kosovarë në realitetin e ri të vendit tone”.

“Qeveria e Republikës së Kosovës do t’i kryejë obligimet e veta që dalin nga ky partneritet me Universitetin Shefilld, por gjithashtu edhe me universitetet tjera që do të kemi marrëveshje të tilla” u shpreh kryeministri Thaçi.

“Kjo është një marrëveshje që do të krijojë mundësi të mirë për talentët që t’i kryejnë studimet në bazë të standardeve ndërkombëtare, bashkëkohore të universiteteve më të njohura dhe prestigjioze të botës. Prandaj, është edhe një hap përpara në drejtim të investimit për dije për të ardhmen tonë të sigurt” – potencoi kryeministri Hashim Thaçi.

 Sipas kësaj marrëveshjeje të nënshkruar Kolegji City pranë Fakultetit Internacional të Universitetit të Shefildit, në Selanik – Greqi, për vitin akademik 2009/2010 do të sigurojë bursa për studimin e 25 studenteve nga Kosova. Në këtë kuadër, 10 bursa për studime bazë, 15 bursa për studime postdiplomike.
 
 Pjesë e marrëveshjes së bashkëpunimit është edhe mbështetja për Administratën Publike të Kosovës, duke organizuar program master në drejtimin e Integrimeve Evropiane dhe Reformën e Administratës Publike, për zyrtarët e nivelit të mesëm dhe të lartë, gjatë vitit akademik 2010/ 2011.

 Protokolli i bashkëpunimit përfshin edhe kurse për trajnimin e zyrtarëve të qeverisë në Teknologji Informative, përkatësisht E – qeverisje. Do të ofrohet asistencë teknike edhe për organizimin e arsimit para universitar. 

Fusha e fundit është bashkëpunimi në hulumtime shkencor dhe teknologji. Ky bashkëpunim do të realizohet përmes Qendrës Hulumtuese për Evropën Juglindore (SEERC).

Last modified: 12 Mars, 2009

Comments are closed.