Prishtinë, 17 janar 2010
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj dhe ministri i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Mahir Yagxhilar, sot ka qëndruar në Komunën e Prizrenit. Fillimisht z. Thaçi është pritur nga kryetari i komunës z. Ramadan Muja dhe në ambientet e Fakultetit të Edukimit ka biseduar me stafin akademik lidhur me procesin e themelimit të Universitetit të dytë Publik të Prizrenit. Më pas kryeministri Thaçi ka vizituar lokacionin ku do të ndërtohen objektet e këtij institucioni të lartë arsimor.
“Tani më është vendim shtetëror i Qeverisë së Republikës së Kosovës, që Prizreni në mënyrë meritore në bazë të nevojave, kërkesave të perspektivës për zhvillimin ekonomik, për krijimin e vendeve të reja të punës të shndërrohet në një qytet akademik”, ka thënë kryeministri Thaçi , duke shtuar se tani mjetet financiare janë ndarë, dhe i gjithë procesi është duke shkuar me në drejtim të mirë.
Kryeministri Thaçi ka njoftuar se dje në Qeverinë e Kosovës janë konkretizuar shumë gjëra lidhur me hapjen e Universitetit të Prizrenit. “Jemi optimist dhe të vendosur që më 1 tetor të hapet Universiteti i Prizrenit. Ministri Hoxhaj është duke i zhvilluar shumë kontakte me shumë universitete evropiane, në mënyrë që të sillet modeli më i mirë i mundshëm për Universitetin e Prizrenit që do të jetë shumë i dobishëm për vetë qytetarët e Prizrenit, për qytetin e Prizrenit , rrethinën dhe rajonin”, pohoi z. Thaçi .
Kryeministri Thaçi premtoi se Prizreni jo vetëm që do të jetë qytet i krenarisë sonë kombëtare, i kultivimit të tolerancës qytetare, politike e ndëretnike, por do të jetë edhe qytet akademik, i zhvillimit ekonomik, i përgatitjes së njerëzve për krijimin e vendeve të reja të punës.
Kryeministri Thaçi me këtë rast ka falënderuar kryetarin Ramadan Muja për përkrahjen e plotë që i ka dhënë këtij projekti, tash edhe me sigurimin e hapësirës dhe zgjerimin e hapësirës së këtij kampusi. “Falënderoj botën akademike edhe të qytetit të Prizrenit që sot e pritën me entuziazëm këtë veprim konkret të Qeverisë së Republikës së Kosovës përkatësisht të Ministrisë së Arsimit. Kosova ka pasur historikisht një universitet publik, tash jemi shtet i pavarur, janë shtuar nevojat, Kosova do të jetë pjesë e NATO-s e BE-së, dhe fokusimi ynë kryesorë do të jetë investimin në edukim. Duke investuar në edukim ne jemi shumë të vetëdijshëm se investojmë në zhvillimin ekonomik, krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve, po investojmë në ndërtimin e jetës së re, dhe perspektivës tonë integruese dhe zhvillimore”, tha kryeministri Hashim Thaçi .
Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj njoftoi për hapat që ka ndërmarrë deri më tash Qeveria për themelimin dhe funksionalizimin e universitetit të dytë publik në vend. “Universiteti Publik i Prizrenit synon të krijojë partneritet me shumë universitete të vendeve perëndimore, ndërkohë që tashmë janë definuar fushat e studimit që do të ofrojë ky universitet”, ka thënë ministri Hoxhaj. Qeveria e Republikës së Kosovës ka pohuar z. Hoxhaj ka ndarë një buxhet prej 3 milionë për këtë vit, është caktuar lokacioni ku do të ndërtohet universiteti dhe së shpejti hapet konkursi ndërkombëtar për rektorin e Universitetit Publik të Prizrenit.
Kryetari i Komunës së Prizrenit , Ramadan Muja ka falënderuar kryeministrin Hashim Thaçi dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës për mbështetjen e këtij projekti të rëndësishëm të arsimit të lartë në Prizren.
Last modified: 17 Janar, 2010