Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Duke e avancuar statusin e zyrës në Ambasadë të plotfuqishme, dëshmohet së SHBA-të kanë besim në Kosovë

8 Prill, 2008

Fjalimi i kryeministrit të Qeverisë së Kosovës z.Hashim Thaçi, me rastin e avancimit të Zyrës së SHBA-vë në Prishtinë në Ambasadë
 
Prishtinë, 8 prill 2008
 
Jam i nderuar që jam i pranishëm sot në këtë akt madhështor.
 
Dita e sotme është e veçantë për ne, sepse miku ynë më i madh, SHBA-të po avancojnë statusin e prezencës së tyre në shtetin tonë të ri.
 
Por, dita e sotme nuk ka të bëjë vetëm me ndryshimin e këtij statusi. Simbolika e kësaj ngjarje është evidente. Duke e avancuar statusin e zyrës së deritanishme në Ambasadë të plotëfuqishme, dëshmohet së SHBA-të kanë besim në Kosovë.
 
Prandaj, unë si Kryeministër dhe i tërë populli i Kosovës jemi të nderuar dhe jemi mirënjohës për këtë gjë.
 
Si përfaqësues i popullit tim, me lejoni që të them se edhe ne kemi besim të madh në Shtetet e Bashkuara. Ne gjithmonë e kemi çmuar dhe do ta çmojmë miqësinë dhe marrëdhëniet tona me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
 
Besimi në liri, barazi, dhe drejtësi janë vlerat sublime, të cilat e bëjnë kombin amerikan të jetë madhështor sot. Prandaj, ne me vendosmëri shikojmë drejt Shteteve të Bashkuara dhe do të vazhdojmë t’i mbështesim dhe kultivojmë këto vlera të përbashkëta.
 
Ndërkohë, që Kosova do të vazhdojë udhëtimin e saj në mesin e vendeve të lira dhe demokratike të botës, ne përgjithmonë do të ruajmë në zemrën tonë respektin e veçantë për popullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët janë të përfaqësuar nga kjo Ambasadë këtu.
 
Prandaj, ne mirëpresim vazhdimin e bashkëpunimit me Ambasadën tuaj dhe ruajtjen e miqësisë dhe bashkëpunimit tonë.
 
Urime të gjithë juve në këtë rast madhështor.
 
Faleminderit

Last modified: 8 Prill, 2008

Comments are closed.

×