Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Do të vazhdojmë me agjendën dhe prioritete tona në procesin e përmbushjes së detyrave kushtetuese dhe institucionale

23 Prill, 2009

Prishtinë, 23 prill 2009

Duke theksuar vendosmërinë për ta vazhduar angazhimin në përmbushjen e agjendës dhe përmbushjes së prioritete dhe obligimeve kushtetuese dhe institucionale, kryeministri ka kërkuar nga kabineti qeveritar për të vazhduar punën e vet në të gjithë sektorët e zhvillimeve të proceseve në Kosovë.

Qeveria ka shqyrtuar Raportin e Progresit në zbatimin e Strategjisë Energjetike të Kosovës për periudhën  2006 – 2008. Raporti konstaton se një numër i madh i projekteve nga strategjia janë realizuar, ndërsa në pjesë e tyre është në fazën e realizimit. Raporti vlerëson arritjet në krijimin e bazës ligjore, ristrukturimin e sektorit, përmbushjen e obligimeve që dalin nga Traktati i Komunitetit të Energjisë, riparimet dhe investimet në kapacitetet energjetike të Kosovës.

Në Strategjinë Legjislative për vitin 2009 të Qeverisë së Kosovës do të përfshihet edhe Projektligji për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Kosovës. Ky projektligj do të rregullojë funksionimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Kosovës, i cili është kategori kushtetuese.    
   

Me anë të Udhëzimit Administrativ për Vulën Rrethore, të cilin e ka miratuar sot Qeveria e Kosovës, është rregulluar që vulat rrethore të përdoren për të vërtetuar aktin autentik zyrtar, të cilin e lëshojnë institucionet dhe i cili është i nënshkruar nga personi i autorizuar.

Rregullorja për Shërbimin e Jashtëm që është aprovuar në mbledhje të Qeverisë së Kosovës ka për qëllim rregullimin e veprimtarisë së Shërbimit të Jashtëm. Shërbimi i Jashtëm i Republikës së Kosovës përbëhet nga anëtarët e përhershëm të Ministrisë, si dhe nga misionet diplomatike dhe konsullore në shtetet tjera dhe organizatat ndërkombëtare.

 

Qeveria ka miratuar Projektligjin për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për Skemën e Ndihmës Sociale në Kosovë. Këto ndryshime do të rregullojë punën e Skemës së Ndihmës Sociale, me qëllim të mbrojtjes sociale dhe përkujdesjes së familjeve të rrezikuara në aspektin social. Projektligji qartëson edhe më shumë përkufizimet dhe kriteret për të qenë përfitues të skemës sociale.

Me qëllim të mbulimit të fushës që ka të bëjë me pagat e nëpunësve civil si dhe rregullimin me Ligj i të drejtës të nëpunësve civilë për pagë të drejtë dhe të rregullt në bazë të Ligjit, Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për Pagat e Shërbimit Civil. Çështjet që i adreson ky Projektligj janë: rregullimi i pagave, shtesave dhe kompensimeve tjera për Shërbimin Civil; burimi i pagave; klasifikimi i pozitave në Shërbimin Civil në gradat e pagës; përcaktimi i vlerës së koeficientit; rritja e koeficientit në bazë të vlerësimit të punës si dhe pagesat dhe shtesat plotësuese.

Projektligjit për  Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, i cili është miratuar sot në mbledhje, përcakton rregullat ligjore për trajtimin unik të çështjeve që kanë të bëjnë me shërbimin civil duke filluar nga instituti juridik i konkursit, procedurat e rekrutimit e deri në përfundimin e punësimit. Ky Projektligj adreson çështje lidhur me: rregullat për menaxhimin dhe organizimin e përgjithshëm të një shërbimi civil të paanshëm politikisht; pranimin në shërbimin civil, kualifikimin, shpalljen për vende të lira të punës, zgjedhja, punësimi dhe qëndrimi në detyrë; të drejtat e nëpunësve civil në kushtet e nevojshme organizative dhe logjistike; detyrat, detyrimet dhe sjellja e nëpunësve civil; masat disiplinore dhe menaxhimi i kontesteve për shkelje të detyrës nga nëpunësit civil.

Qeveria ka miratuar Projektligjin për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë që përcakton detyrimin e zyrtarëve të lartë publik për të deklaruar pasurinë dhe prejardhjen e saj. Gjithashtu ka aprovuar edhe Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e  Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik.
 

Projektligji për Qytetin e Prishtinës, është aprovuar nga Qeveria dhe do të procedohet në Kuvendin e Kosovës për miratim. Ky projektligji rregullon dhe përcakton statusin e Qytetit të Prishtinës, krijon bazën ligjore, dhe synon funksionimin efikas të strukturave komunale të qytetit të Prishtinës si kryeqytet i Republikës së Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka vendosur që  të ndajë mjete financiare në vlerë prej  36,830 Euro, për Aleancën Kosovare të Biznesit me qëllim të organizmit të “Panairit të Punësimit”.  Ndërsa për aktivitetet për shënimin e 27 prillit, Ditës së të Pagjeturve, janë ndarë 4.265 euro.

 Me një vendim të veçanet, Qeveria ka vendosur që për familjen e Shaban Funiqit, së cilës para disa ditësh i kishte ndodhur një tragjedi e rëndë, kur fëmija i tyre kishte vdekur nga kafshimet e qenve endacak, t’i ndaj një ndihmë monetare në vlerë prej 7000 eurosh.

Last modified: 23 Prill, 2009

Comments are closed.