Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Dita e Pavarësisë, 17 shkurti – kremte shtetërore, dinjitoze dhe madhështore

13 Shkurt, 2009

Prishtinë, 13 shkurt 2009
 
Në hapje të mbledhjes, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka vlerësuar se njëvjetori i shpalljes së pavarësisë është edhe një rast që institucionet e Kosovës dhe populli i saj të demonstrojnë dinjitetin, krenarinë dhe madhështinë e kësaj dite për Kosovën.
 
Kryeministri Hashim Thaçi ka njoftuar kabinetin qeveritar edhe për takimin e parë të Këshillit për Siguri të Kosovës, që shënon edhe krijimin e këtij institucioni të rëndësishëm për Kosovën. Me këtë rast, kryeministri ka vlerësuar se me vitin e parë të funksionimit të shtetit të pavarur të Kosovës, ka përfunduar edhe kompletimi i të gjitha kapaciteteve institucionale të shtetit të Kosovës.
 
Me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Qeveria ka futur në Strategjinë Legjislative për vitin 2009 edhe Projektligjin për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për Prokurimin Publik. Me ndryshimet dhe plotësimit të këtij ligji do të lehtësojë procedurat për blerjen dhe marrjen  me qira të ndërtesave për ambasada dhe për misionet diplomatike të Republikës së Kosovës jashtë vendit. Qeveria ka rekomanduar që gjatë ndryshimit dhe plotësimit të këtij ligji, të gjitha ministritë të përfshihen me vërejtjet dhe sugjerime, me qëllim të funksionalizimit sa më të mirë të këtij ligji.
 
Qeveria ka diskutuar edhe rreth Projektligjit për Qeverinë i cili është duke u përgatitur për aprovim. Me qëllim të përkufizimeve më të çarta të projektligjit për funksionimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, mënyra e punës dhe procedurat e vendimmarrjes në Qeveri, bashkëpunimi ndërmjet Qeverisë dhe institucioneve të tjera të përcaktuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, një grup ndërministror, i udhëhequr nga zëvendëskryeministri Ramë Manaj, do ta diskutojë edhe një herë Projektligjin për Qeverinë, para se ai të miratohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Last modified: 13 Shkurt, 2009

Comments are closed.