Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Çfarëdo raporti që mund të përpilohet nga KS i OKB-së, pa miratimin zyrtar të Republikës së Kosovës, do të jetë plotësisht i papranueshëm dhe i pa zbatueshëm në territorin e shtetit tonë

25 Nëntor, 2008

 Prishtinë, 25 nëntor 2008
 
Lidhur me planin 6 pikësh të propozuar nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, i cili pritet të përfshihet në raportin që Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së do t’ia paraqes Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, më lejoni të ritheksoj edhe një herë se:
 

   1.
      Statusi i Kosovës është i zgjidhur dhe kjo çështje është e mbyllur. Kosova që nga 17 shkurti 2008 është shtet i pavarur dhe sovran dhe i tillë do të jetë përgjithmonë.

   2.
      EULEX do të vendoset në Kosovë ashtu siç e parashikon Kushtetuta e Kosovës dhe Plani i Ahtisarit. UNMIK-u nuk do të ketë asnjë rol ekzekutiv, por vetëm lehtësues për vendosjen e EULEX-it. Çdo tendencë tjetër, konsiderohet si shkelje e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe si dhunim i sovranitetit tonë shtetëror. Rezoluta 1244 e OKB-së është plotësisht jo relevante dhe e pakuptimtë në shtetin tonë sovran. Si e tillë institucionet e Kosovës nuk kanë asnjë obligim juridik që të njëjtën ta marrin në konsideratë.

   3.
      Të gjitha fushat për të cilat flet plani gjashtë pikësh i OKB-së, siç janë drejtësia, policia, kufijtë,doganat, trashëgimia serbe, transporti dhe infrastruktura janë të rregulluara me ligjet tona përkatëse, të cilat janë miratuar nga Parlamenti i Kosovës dhe të cilat janë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës. Çdo plan tjetër, çdo dokument tjetër e aq më tepër ndonjë raport qoftë ai edhe nga OKB-ja është i paligjshëm dhe i pazbatueshëm. 

   4.
      Kosova ka paraqitur 4 pikat e saj që në fakt vetëm paraqet qëndrimin tonë zyrtar në raport me 6 pikat e propozuara. Kosova e ka Kushtetutën dhe ligjet e saj moderne, të cilat i rregullojnë të gjitha çështjet e ngritura në planin 6 pikësh të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. 

   5.
      Prandaj, është Kushtetuta e Kosovës dhe ligjet e miratuara nga Parlamenti i Kosovës, që unë si Kryeministër i Kosovës do t’iu përmbahem dhe do t’i zbatoj në praktikë dhe asgjë tjetër. Ky është plani ynë, ky është vizioni ynë.

   6.
      Çfarëdo plani apo raporti që mund të përpilohet nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, pa miratimin zyrtar të Republikës së Kosovës, do të jetë plotësisht i papranueshëm dhe i pa zbatueshëm në territorin e shtetit tonë. 

Last modified: 25 Nëntor, 2008

Comments are closed.