Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Besoj fuqishëm në lëvizjen përpara në procesin e njohjeve të reja të shtetit të Kosovës

13 Mars, 2009

Prishtinë, 13 mars 2009

Kryeministri Thaçi ka theksuar edhe faktin se mbështetja për Kosovën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropianë është dëshmuar fuqishëm nga deklaratat e zyrtarëve të lartë të SHBA-ve dhe BE-së.

“Besoj fuqishëm në lëvizjen përpara në procesin e njohjeve të reja të shtetit të ri të Kosovës”, ka thënë kryeministrin Hashim Thaçi në fjalën e hapjes së mbledhjes së Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Ministria e Energjisë dhe Minierave ka propozuar dhe Qeveria e Kosovës ka aprovuar vendimin që “Fusha e Mihjes së Re” të shpallet zonë me interes të veçantë ekonomik. Shpallja e zonës me interes të veçantë ekonomik “Fusha e Mihjes së Re” dhe hartimi i Planit Hapësinor për këtë zonë bëhet me qëllim të identifikimit të ndryshimeve të strukturës hapësinore, shfrytëzimit të tokës dhe zhvendosjes së komunitetit në atë zonë, duke pasur parasysh investimet që do të bëhen në sektorin e energjisë dhe atë të minierave. Zona në tërësi ka një sipërfaqe prej 143.254 km² dhe përfshin gjithsej 22 zona kadastrale.

Qeveria ka vendosur që të fillojë hartimi i Plani Hapësinor për Parkun Nacional  “Mali Sharr”. Qëllimi i hartimit të këtij Plani është shfrytëzimi i planifikuar i hapësirës; mbrojtja dhe përparimi i vlerave të trashëgimisë natyrore; zhvillimi i funksioneve shkencore-kërkimore dhe rekreative-turistike; përcaktimi i kaheve dhe zhvillimit në etapa të Parkut, si dhe në bazë të planit të përcaktohen kushtet dhe rregullat për hapësirat e parapara për zhvillim. Deri në aprovimin e Planit Hapësinor për Zonën e Veçantë të Parkut Nacional “Mali Sharr”, të gjitha aktivitetet dhe zhvillimet e paplanifikuara do të rishqyrtohen.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka vendosur sipas propozimit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor që monumenti i natyrës “Shpella e Gadimes” të vihet nën mbrojtje. Ky vendim do të shërbejë për ruajtjen e vlerave unikate dhe specifikave tektonike, gjeologjike, gjeomorfologjike dhe hidrologjike të formuar në mermer në këtë monomet të natyrës. Zona e mbrojtur e “Shpellës së Gadimes” shtrihet në territorin e komunës së Lipjanit, në fshatin Gadime e Ulët dhe përfshin një sipërfaqe prej 38.64,95 ha.

Qeveria e Kosovës ka vendosur që 406 punëtorët e përfshirë drejtpërdrejt në realizimin projektit të pajisjes së qytetarëve me dokumentet e identifikimit dhe të cilët janë angazhuar edhe me punë jashtë orarit të kompensohen me të ardhura mujore shtesë në vlerë prej 200 Euro. Qeveria ka marrë këtë vendim, duke pasur parasysh faktin se kërkesat e qytetarëve për pajisje me dokumente të reja të Republikës së Kosovës janë në rritje e sipër dhe nevoja për angazhimin e shtuar të këtyre punëtorëve  do të vazhdojë.

Në mbledhje është vendosur që të themelohet komisioni ndërministror qeveritar për çështje fiskale dhe buxhetore Ky komision do të përbëhej nga Kryeministri, Ministri i Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit dhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë.

Me kërkesën e Këshillit të Sigurisë së Kosovës është vendosur që në Strategjinë  legjislative të vitit 2009 të përfshihet edhe Projektligji për Klasifikimin e Informatave dhe Verifikimin e Besueshmërisë.

Qeveria ka miratuar Vendimin për Themelimin, Përbërjen Strukturore dhe Funksionimin e Këshillit Ekonomiko-Social të propozuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Me këtë vendim themelohet Këshilli Ekonomiko-Social i cili do të menaxhojë dialogun social. Këshilli do të përbëhet nga përfaqësuesit e Sindikatave, organizatave të punëdhënësve dhe përfaqësuesve të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Këshilli Ekonomiko-Social është organ i nivelit nacional, i cili udhëheqë konsultimet për çështjet nga marrëdhënia e punës, mirëqenia sociale dhe çështjet tjera që kanë të bëjnë me politikat ekonomike në Republikën e Kosovës. Këshilli Ekonomiko-Social si organ më i lartë trepalësh është organ jopolitik dhe do të funksionojë si i pavarur, pa ndikim të ndonjë partie politike apo të ndonjë interesi politik.

Në mbledhje është aprovuar Projektligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar Me këtë ligj, Rregullorja ekzistuese e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar do të shfuqizohet dhe të zëvendësohet me Ligjin e ri të TVSH-ës. Projektligji ka një strukturë të gjerë përmbajtjesore dhe si subjekt me përgjegjësi të veçantë për zbatimin e këtij ligji përcakton Administratën Tatimore të Republikës së Kosovës.

Qeveria ka miratuar projektin multietnike për Komunën e Novo Bërdos, sipas të cilit do të trajtohen 29 familje nga ky lokalitet, përmes renovimit dhe rindërtimit të shtëpive të tyre dhe përmirësimit të kushteve të jetesës. 8 familje nga komuniteti serb, 8 familje nga komunitetit shqiptarë dhe 13 të tjera nga komunitetit rom, shkali dhe egjiptian do të jenë përfitues të këtij projekti. Projekti financohet kryesisht nga mjetet e ndara nga Qeveria e Kosovës dhe një donacion modeste nga qeveria norvegjeze.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave ka prezantuar agjendën e diskutimit të Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve 2010-2012.

Last modified: 13 Mars, 2009

Comments are closed.