Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Aty ku duhej të rikthehej dinjiteti i nëpërkëmbur, aty ku duhej kthyer besimi dhe hequr frika, ishin dëshmorët e parë të UÇK-së

30 Janar, 2009

Prishtinë, 30 janar 2009
 
Të nderuara familje Pajaziti, Zejnullahu dhe Hoxha
Të nderuar pjesëmarrës të Akademisë Përkujtimore,
Zonja dhe zotërinj,
 
Sot na ka bashkuar një datë e shënuar në historinë e re të Kosovës, 12 vjetori i rënies heroike të komandantit Zahir Pajaziti dhe bashkëluftëtarëve të tij, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha
 
Për dallim nga përvjetorët tjerë, kjo Akademi përkujtimore sivjet organizohet në Kosovën e lirë, të pavarur, sovrane dhe demokratike.
 
Republika e Kosovës sot është një realitet.
 
Kjo ëndërr e shumë brezave u kurorëzua me sukses, duke u përmbushur qëllimi jetësor i të gjithë atyre që nuk i ndalën asnjëherë përpjekjet për çlirimin e Kosovës, me  asnjë çmim.
 
Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, u bënë pishtarë të parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të rënë në krye të detyrës, si edhe shumë veprimtarë të tjerë.
 
Ata kishin kaluar një jetë të tërë në veprimtari të organizuar politike, duke luftuar në forma të ndryshme aparatin sundues dhe represiv mbi popullin e Kosovës.
 
Ata që në moshë të re, në Pranverën e 1981-ës ishin pjesëmarrës të demonstratave, që shënuan kthesë historike me kërkesën themelore për avancimin e statusit politik të Kosovës në nivel të Republikës.
 
Përkundër prezencës së vazhdueshme të një politike të represionit dhe dhunës sistematike, pas vitit 1981, në Kosovë ka ekzistuar lëvizje e organizuar politike, që nuk e rreshti asnjëherë veprimtarinë çliruese.
 
Fryma e kësaj lëvizjeje, që njeh faza dhe hope të caktuara, u mbajt e pa shuar nga djem idealistë, trima, të guximshëm dhe të vendosur për t’i lëvizur gjërat, për ta ndryshuar realitetin.
 
Ata besonin në drejtësinë e çështjes së Kosovës, pavarësisht se përballë tyre kishin një shtet agresiv me tërë makinerinë shtypëse dhe me përvojë qindvjeçare të politikës antishqiptare.
 
Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha kishin mishëruar shpirtin kryengritës dhe  karakterin e pathyeshëm, të cilin e përpunon vetëm ideja fisnike e lirisë dhe vullneti i hekurt për t’u çliruar nga skllavëria.
 
Ata përfaqësojnë brezin e brumosur me idealet e lirisë dhe mospajtimin përfundimtar me gjendjen e robërisë së atdheut të tyre.
 
Përmasat e madhështisë së njerëzve ndonjëherë nuk mund të shihen në sipërfaqen e zhvillimeve të rëndomta.
 
Njerëzit janë të mëdhenj kur në kohë të errëta shohin dritën e lirisë, kur në mbretërinë e dyshimit ngrenë filozofinë e besimit.
 
Ata,  fuqinë e karakterit dhe drejtësinë vizionit për ta ndërruar realitetin e sprovojnë në kohën kur ende janë pakicë. Pastaj të tjerët u bashkohen dhe vjen koha e tyre.   
 
Ky përcaktim i ka dhënë kuptim jetës së Zahirit, Hakifit dhe Edmondit dhe shumë dëshmorëve të tjerë, që ishin nisur në rrugën e lirisë, por nuk e arritën ta përjetojnë çlirimin, lirinë e Kosovës. 
 
Zahir Pajazitin e shquante shpirti i komandantit. Jo për të komanduar, por për të prirë aty ku e kërkonte interesi i formacioneve të UÇK-së.
 
Aty ku duhej të rikthehej dinjiteti i nëpërkëmbur.
Aty ku duhej kthyer besimi dhe hequr frika.
 
Zahir Pajaziti shquhej me shpirt pragmatik, trimëri dhe shkathtësi të rralla, të cilat ia njihnin bashkëluftëtarët e tij, dhe që armiku po i ndiente kudo në terren.
 
Deri te dita e rënies së dëshmorëve të lirisë, 31 janari i 1997-ës, Kosova kishte kaluar nëpër një dekadë të rëndë represioni policor dhe depresioni politik.
 
Segmentet policore kriminale serbe, përmes një atentati goditën tre bij të Kosovës, të cilët, çdo ditë e më shumë po rrezikonin rehatinë e tyre, të shërbëtorëve të tyre dhe tërë sistemin e sundimit të Kosovës.
 
Ajo ditë janari po konfirmonte edhe një herë botërisht vendosmërinë e pathyeshme të djemve trima të Kosovës, që kishin nisur betejën e çlirimit të saj, pavarësisht fuqisë së armikut dhe pavarësisht prej klimës politike nëpër të cilën po kalonte Kosova.    
 
Nuk do të kalonin as dhjetë muaj nga rënia e Zahir, Hakifit dhe Edmondit kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës, gjithnjë e më e dukshme në terren do të dilte publikisht më 28 nëntor 1997.
 
Ushtria Çlirimtare e Kosovës, duke fituar mbështetjen e gjerë popullore do të ngrihej në forcë lëvizëse të historisë, pas rënies heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari.
 
Duke u përballur me ofanziva të rënda të ushtrisë, policisë dhe forcave paramilitare serbe, UÇK-ja në vitin 1998 tregoi vendosmërinë e Kosovës për ta fituar betejën politike dhe ushtarake kundër Serbisë.
 
Dhe kjo betejë u fitua në terren, u fitua në plan ndërkombëtar në Konferencën e Rambujesë, si rezultat i pjekurisë dhe vizionit properëndimor të Kosovës.
 
Me 12 qershor 1999 Kosova u çlirua përfundimisht nga sundimi shekullor. Në themelet e lirisë është gjaku i dëshmorëve, i komandant Zahirit, i Hakifit, i Edmondit dhe mijëra dëshmorëve të tjerë. Kosova nisi një epokë të re, epokën e tranzicionit, të kultivimit të demokracisë së mirëfilltë dhe të shtetetndërtimit.
 
Zonja dhe zotërinj,
 
Në kohën kur njësitet UÇK-së rezistonin fuqishëm edhe në trevat Llapit, emri i komandant Zahirit ishte bërë emër frymëzimi për ushtarët e Brigadës 151 të UÇK-së.
Emër që mbillte besim dhe trimëri në zemrat e luftëtarëve të lirisë.
 
Sot, emrin e komandant Zahirit e mban një shesh në qendër të kryeqytetit të Republikës së Kosovës.
 
Emrin e Zahirit, Hakifit dhe Edmondit e mbajnë kazermat ushtarake, shkollat, në të cilat mësojnë fëmijët tanë të lirë, institucionet, sheshet dhe rrugët, në të cilat frymojnë lirshëm qytetarët tanë.
 
Së shpejti Kosova po përmbyll njëvjetorin e shpalljes së pavarësisë.
Vitin historik të kurorëzimit të ëndrrave të gjeneratave të tëra që u sakrifikuan për ditët e mira të saj.
 
Kosova është shtet i pavarur, i njohur ndërkombëtarisht nga shtetet më të fuqishme të globit dhe nga shumë shtetet demokratike të botës. Kosovën pritet ta njohin edhe shtete të tjera.
 
Sot, kur i themi këto gjëra të tashmë të njohura, i themi para qytetarëve tanë, i themi para familjeve të nderuara të dëshmorëve, por sikur i themi edhe para dëshmorëve të lirisë, për të treguar se ëndrra e tyre, për të cilën ata u flijuan, u bë realitet.
 
Duke qenë me legjitimitet në krye të institucioneve të vendit, në saje të vullnetin të qytetarëve të Kosovës, ne ndjehemi krenarë që në rrugën e çlirimit të Kosovës kishim bashkëluftëtarë të përmasave të mëdha, dëshmorë të lirisë si komandantin legjendar Adem Jashari, komandantin Zahir Pajaziti dhe mijëra dëshmorë anembanë Kosovës.
 
Duke pasur legjitimitet institucional, ne jemi edhe më të përgjegjshëm për të ndërtuar një Kosovë vërtetë të lirë, demokratike dhe sovrane, në të cilën qytetarët tanë do të jetojnë me krenari dhe dinjitet.
 
Në kohën kur Kosovën e presin ende sfida të mëdha, në fushën e zhvillimit ekonomik dhe ngritjes së cilësisë së jetesës, në fushën e integrimeve euroatlantike, – Ne, për të përmbushur edhe më tej amanetin e dëshmorëve, kemi obligim që me vizion, ndershmëri dhe përkushtim të lartë institucional ta kultivojmë filozofinë e unitetit qytetar në Kosovë.
 
Ne nuk do t’i zhgënjejmë idealet e atyre që u sakrifikuan për shtetin e Kosovës, ne nuk do t’i zhgënjejmë miqtë tanë, që na ndihmuan në ditë më të vështira.
 
Lavdi dëshmorëve të UÇK-së.

Last modified: 30 Janar, 2009

Comments are closed.