Prishtinë, 15 tetor 2010
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot në takim shefin e ri të EULEX-it, Xavier Bout de Marnhac.
Kryeministri Thaçi pasi i shprehu mirëseardhje z. Marnhac, theksoi se Kosova e njeh atë për punën e tij të shkëlqyer, të cilën e ka bërë edhe më herët.
“Do të kemi angazhime të përbashkëta për qëllime të përbashkëta për rendin dhe ligjin në Kosovë. Do ta ketë përkrahjen dhe bashkëpunimin tim të ngushtë si Qeveri e Kosovë, për vazhdimin e reformave në sistemin e drejtësisë, për vënien e rendit dhe ligjit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, theksoi kryeministri Thaçi, duke shtuar se angazhimet tona do të jenë të përbashkëta, të harmonizuara dhe kam besim të plotë në suksesin tonë.
Kryeministri Thaçi, më tutje theksoi se qëllim yni është që të jemi pjesë e Bashkimit Evropian. “Legjislacionin jemi duke e nxjerrë të gjithin në përputhshmëri me standardet e Brukselit, kështu që ne do të punojmë bashkërisht sot dhe në të ardhmen për të mirën e gjithë qytetarëve të Kosovës, gjithmonë sipas vlerave dhe standardeve evropiane”, u shpreh Kryeministri.
Ndërkaq, shefi i ri i EULEX-it, Xavier Bout de Marnhac, tha se jemi pajtuar me kryeministrin Thaçi që të kemi një bashkëpunim të ngushtë. “Ne e njohim njëri tjetrin, kemi pasur raporte në të kaluarën dhe jam i sigurt që këto raporte të mira do t’i vazhdojnë edhe në të ardhmen”, theksoi Marnhac.
Last modified: 15 Tetor, 2010