Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO – ngjarje historike dhe një e arritur jashtëzakonisht e madhe për popullin dhe shtetin shqiptar

2 Prill, 2009

Prishtinë, 2 Prill 2009

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi përgëzon homologun shqiptar, Sali Berisha, me rastin e pranimit zyrtar të Shqipërisë në NATO.
Në telegramin e urimit thuhet:

I nderuari Kryeministër Berisha,

Anëtarësimi i  plotë i Shqipërisë në NATO  më 4 prill 2009  është ngjarje me rëndësi  historike dhe  një e arritur e jashtëzakonshme për popullin dhe shtetin shqiptar.

Kjo fitore Republikës së Shqipërisë është  mirëpritur me kënaqësi të madhe nga qytetarët dhe institucionet e Kosovës.

Hyrja e Shqipërisë në NATO është  është dëshmi për shkallën e lartë të demokracisë në vendin Tuaj, për thellimin e reformave dhe të arriturat e gjithëmbarshme të shtetit shqiptar.

Zyrtarizimi i pranimit të Shqipërisë  në NATO është hap inkurajues për Kosovën dhe shtetet tjera të rajonit që synojnë të bëhen pjesë e Organizatës më të fuqishme ushtarake të botës.

Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik i Shqipërisë, stabiliteti i brendshëm dhe politika e fqinjësisë së mirë janë garancia më e  mirë e ecjes së vendit Tuaj drejt ardhmërisë së sigurt.

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin, Ju z. Kryeministër Berisha dhe gjithë qytetarëve të Shqipërisë,  u shpreh urimet më të sinqerta për këtë të arritur madhore, me bindjen se Shqipëria do të vazhdojë  ecjen e sigurt drejt integrimit  edhe në Bashkimin Evropian.

Hashim Thaçi
Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës

Last modified: 2 Prill, 2009

Comments are closed.