Prishtinë, 6 maj 2009
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot në një konferencë me gazetarë theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Po e japim të plotë fjalën e kryeministrit Thaçi në konferencën e sotme për media.
Të nderuar,
Jam sot këtu që të konfirmoj se procesi i anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) është duke u përmbyllur suksesshëm.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka besim të plotë se në ditët e ardhshme do të marrë konfirmimin zyrtar për anëtarësim në FMN,.
Në emër të Qeverisë falënderoj të gjitha shtetet që kanë marrë pjesë në votim. Në momentin e marrjes së konfirmimit zyrtar do t’iu informojmë për hapat e mëtejshëm, që do të ndërmerr shteti i Kosovës.
Gjithashtu mund të konfirmoj me besim të plotë se në fillim të muajit të ardhshëm besojmë se Kosova do të bëhet anëtare e Bankës Botërore (BB).
Ne kemi aplikuar para një viti për anëtarësim në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore dhe të dy këto procese gradualisht po përmbyllen suksesshëm për Republikën e Kosovën.
Kosovës po i hapen dyert për anëtarësim në institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare dhe kjo është një shenjë e respektimit dhe vlerësimit të punës së madhe të institucioneve demokratike, transparencës, sundimit të ligjit, luftës së pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe ndërtimit të rendit demokratik dhe respektimit të të drejtave të minoritarëve.
Anëtarësimi i Republikës së Kosovës në FMN paraqet një akt tjetër historik për Kosovën dhe të ardhmen e saj evropiane dhe euroatlantike. Pra, Kosova me shpejtësi dhe suksesshëm në mënyrë meritore po i bashkohet familjes së vendeve që synojnë stabilitet afatgjatë e perspektivë të qartë ekonomike. Anëtarësimi është mesazh i qartë për të ardhmen e sigurt të Kosovës, e popullit të saj dhe do të ketë përkrahje financiare dhe teknike .
Anëtarësimi i Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar hap dyert për qasje më të lehtësuar në programet e tij. Qeveria është duke vazhduar me angazhimin e vet aktiv, dinamik dhe efektiv për të realizuar anëtarësimin e Kosovës edhe në organizatat tjera të rëndësishme, Bankës Evropiane për rindërtim e zhvillim.
Last modified: 6 Maj, 2009