Prishtinë, 5 shkurt 2009
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës,Hashim Thaçi në një konferencë për gazetarë ka ripërsëritur se procesi i Kosovës është i pakthyeshëm.
“Kemi obligimet tona kushtetuese të cilat do t’i respektojmë në përpikëri. Kosova është shtet i pavarur, e demokratik. Pra si me çdo shtet tjetër fqinjë mund të kemi takime me interes të përbashkët të të dy vendeve, por në raportet Kosovë-Serbi ka përfunduar gjithçka më 17 shkurt”, tha kryeministri Thaçi, duke potencuar se agjendën tonë e përcakton interesi i vendit dhe i qytetarëve tanë.
Kryeministri Thaçi u zotua se institucionet legjitime të Kosovës do ta respektojnë në përpikëri Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe dokumentin e presidentit Ahtisari, përderisa premtoi se në kuadër të fqinjësisë së mirë sikur me gjitha shtetet tjera, do të kemi orientime për implementimin e prioriteteve të përbashkëta edhe me Maqedoninë, Malin e Zi, Shqipërinë, por edhe me Serbinë.
Kryeministri Hashim Thaçi e quajti vitin 2008, vit të suksesit për Kosovën, vit të kurorëzimit të aspiratave shekullore për Kosovën shtet i pavarur, sovran e demokratik, i njohur nga 54 shtete.
Në takimin ndërmjet shefit të UNMIK-ut, dhe udhëheqësve të institucioneve të Kosovës, kryeministrit Hashim Thaçi dhe presidentit Fatmir Sejdiu është biseduar edhe për takimin e radhës të Këshillit të Sigurikmit të OKB-së, që do të mbahet në fillim të muajit mars të këtij viti, si dhe për rikonfigurimin e UNMIK-ut.
Last modified: 5 Shkurt, 2009