Zyra e Kryeministrit

Kryeministri në detyrë Haradinaj: Ne jemi unik si kurrë më parë, s’ka tërmet që na ligështon

4 Dhjetor, 2019

Prishtinë, 4 dhjetor 2019

“Ne jemi unik si kurrë më parë, Kosovë e Shqipëri, veri e jug, të majtë e të djathtë, pushtet e opozitë, që të ngritën mbi interesat parciale dhe t’u dalin në ndihmë të gjithë atyre njerëzve që kanë zi sot dhe frikë për të nesërmen”, kështu tha kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në ceremoninë e organizuar për ndarjen e dekoratave nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, për njësitet e kërkim- shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të Policisë së Kosovës dhe ekipet tjera të shpëtimit, që morën pjesë në aksionin e kërkim-shpëtimit, pas tërmetit në Republikën e Shqipërisë.

Në fjalën e  tij, kryeministri në detyrë Haradinaj theksoi se të gjithë janë të nderuar sot nga Presidenti shqiptar Ilir Meta, e veçmas për këtë nder që na e krijoi Ushtria jonë, e cila, me profesionalizëm e në heshtje, pa mburrje e vet-reklamë kreu misionin e saj të shenjtë kushtetues dhe patriotik, që ia ka besuar populli i Kosovës!”,

Fillimisht, në nderim të viktimave që humbën jetën në tërmetin që goditi Shqipërinë më 26 nëntor të këtij viti, është mbajtur një minutë heshtje.

Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri në detyrë Haradinaj, vlerësoi lart kontributin e të gjitha njësiteve nga Kosova që i dolën në ndihmë bashkëkombësve të tyre në Shqipëri, duke theksuar se Kosova reagoi si shtet me të gjitha resurset humane, teknologjike e financiare, që në orët e para të mëngjesit të 26 nëntorit fatal, me ushtrinë dhe policinë e saj, me njësitet e kërkim-shpëtimit dhe emergjencave civile.

“Në të njëjtën ditë në Shqipëri janë nisur ekipet e Çetave të Shpëtimit të Trepçës dhe Artanës; Njësia e zjarrfikësve nga Korporata Energjetike e Kosovës; nga Komuna e Suharekës, Kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve të kontraktuara nga Ministria e Transportit, që dua t’i falënderoj nga zemra, duke u thënë: Bravo u qoftë!”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, falënderoi të gjitha njësitet e kërkim-shpëtimit nga Kosova, që u paraqitën në orët e para, në vijën e parë të një beteje ndërmjet jetës dhe vdekjes. “Andaj nuk ka emër më të mirë dhe vlerësim më të mirë, sesa Shpëtimtarë, për të gjithë ju”, tha presidenti Meta.

Më tej Presidenti Meta tha se në këtë betejë të vërtet, me një bilanc të rëndë lufte, Shqipëria nuk mbeti e vetme. “Shumë vende mike dhe partnere bënë më të mirën e mundur për të na u gjendur pranë sa më shpejtë të ishte e mundur. Por, Kosova ishte e para që u ndodhë atje menjëherë në luftën për të shpëtuar jetën e çdo shqiptari nën rrënojat e katastrofës. Ekipet tuaja nuk ishin atje vetëm fizikisht e profesionalisht, por në radhë të parë njerëzisht, vëllazërisht e shqiptarisht, duke rrezikuar jetën e tyre për të shpëtuar shumë jetë të tjera”, tha presidenti Meta, duke potencuar se populli shqiptar do të jetë përgjithmonë mirënjohës solidaritetin, profesionalizmin dhe gatishmërinë e jashtëzakonshme.

Po ashtu, presidenti Meta përcolli mirënjohjen e thellë dhe të përzemërt  të mbarë popullit shqiptar, e sidomos të komuniteteve më të goditura, për këtë solidaritet shembullor dhe ndihmën vëllazërore, e po ashtu falënderoi popullin e Kosovës për ndihmën e pakursyer duke dëshmuar zemrën e madhe që e ka karakterizuar gjithmonë.

Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Rrahman Rama tha se është nder dhe kënaqësi marrja e këtyre dekoratave, pasi është vlerë për të gjithë, jo veç për FSK-në, por edhe nder dhe privilegj për Kosovën.

“Ne nuk kemi bërë asgjë më shumë se kemi kryer detyrën tonë, se çfarë bën vëllai për vëllanë, Kosova po e dëshmon çdo ditë se jemi të gatshëm t’i përkrahim të gjithë fqinjët tonë, në interes të sigurisë rajonale”, u shpreh gjenerallejtnant Rama.

Me motivacionin për forcimin e bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri, kryeministri në detyrë Haradinaj i ka ndarë presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, medaljen Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Për gjithë këtë kontribut, Presidenti Meta, Taskë Forcës së Kombinuar të FSK-së, i ka ndarë dekoratën e Artë të Shqiponjës, Njësisë Speciale Operative të Policisë së Kosovës, i ndau titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”,  Njësitit të Çetës së Shpëtimit-Miniera e Trepçës, Çetës së Shpëtimit-Miniera e Artanës, ekipit të Zjarrfikësve –KEK, Njësisë së Zjarrfikësve të komunës së Suharekës dhe Njësitit K9 të FSK-së, u ndau titullin për merita të veçanta civile.

Fjala e plotë e kryeministrit në detyrë Haradinaj:

Të nderuar shpëtimtarë, ushtarë, policë e zjarrfikës, punonjës humanitarë, social e shëndetësor të Kosovës,

I nderuar zëvendëskryeministër Pacolli, ministra, deputet

I nderuar gjeneral Rama,

Shumë i nderuar President i Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesia Juaj, Ilir Meta!

Festa e 28-nëntorit sivjet na erdhi e ftohtë dhe na mbështolli me tragjedi, sepse u përballëm me forcën e natyrës, që na mori shumë jetë njerëzore duke na sjellë shumë dhembje, por megjithë tërmetin dhe pasojat, e morëm një mesazh historik, se ne shqiptarët nuk jemi më në dimrin e vetmisë së madhe. Jemi rritur vetë dhe kemi shumë miq që na duan!.

Në ditët më të vështira, na erdhën në ndihmë fqinjët e parë, po edhe shumë miq tjerë anë e kënd botës dhe kjo është një dëshmi se jemi të rreshtuar në rrugën e duhur, me paqen dhe humanizmin. Prandaj, nga Prishtina, sot, në emër edhe të popullit të Kosovës, dëshiroj t’i falënderoj për çdo gjë që bënë për ne, të gjitha kombet tjera!

Duke qenë solidarë me viktimat e tërmetit që goditi disa zona përreth Durrësit, u mobilizua si kurrë ma përpara, shpirti i një kombi dhe të bashkuar ia dolëm të tejkalojmë situatën emergjente.

Pasi i qajtëm e i varrosëm njerëzit tanë të dashur, tani nisë beteja jonë e vërtetë, si një trup i vetëm, për të gjallët, të pastrehët dhe të gjithë ata që pësuan.

Ne jemi unik si kurrë me parë, Kosovë e Shqipëri, veri e jug, të majtë e të djathtë, pushtet e opozitë, që të ngrihemi mbi interesat parciale dhe t’u dalim në ndihmë të gjithë atyre njerëzve që kanë zi sot dhe frikë për të ardhmen dhe të nesërmen!

Dua të ritheksoj se ne, kemi reaguar si shtet, duke qenë në detyrë, me të gjitha resurset humane, teknologjike e financiare, që në orët e para të mëngjesit të 26 nëntorit fatal, me ushtrinë dhe policinë tonë, me njësitet e kërkim-shpëtimit dhe emergjencave civile.

Në të njëjtën ditë në Shqipëri janë nisur ekipet e Çetave të Shpëtimit të Trepçës dhe Artanës; Njësia e zjarrfikësve nga Korporata Energjetike e Kosovës; nga Komuna e Suharekës, Kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve, të kontraktuara nga Ministria e Transportit, që dua me i falënderua nga zemra, duke u thënë: Bravo u qoftë!

Si Qeveri, pos ndihmës emergjente e financiare, kemi strehuar qindra qytetarë  në Parkun Inovativ të Prizrenit, kurse shumë qytetarë kosovarë kanë hapur dyert, për t’i pritë vëllazërisht ata që u goditën nga tërmeti. Vargu i atyre qytetarëve, bizneseve dhe shoqatave humanitare, që dërguan ndihma në Shqipëri, ishte dhe vazhdon ende të jetë i gjatë. Në emër të Qeverisë në detyrë, e falënderoj tërë popullin e Kosovës për këtë solidaritet e zotësi të dëshmuar!

Të nderuar të pranishëm,

Jemi të gjithë të nderuar sot nga Presidenti shqiptar Ilir Meta, e veçmas këtë nder na e krijoi Ushtria jonë, e cila, me profesionalizëm e në heshtje, pa mburrje e vet-reklamë kreu misionin e saj të shenjtë kushtetues dhe patriotik, që ia ka besuar populli i Kosovës!

Të jesh në paqe me vetën dhe fqinjët, do të thotë se vlerat tona, humanizmi e solidariteti si dhe rreshti i ushtrisë sonë, janë bashkuar sot me vlerat e përbashkëta Perëndimore.

Të dashur shqiptarë, kudo që jetoni,

Vetëm kjo Kosovë e lirë dhe e pavarur, me strukturë efikase të sigurisë, e gatshme për të ndihmuar motrat e vëllezërit tanë në Shqipëri e kudo që janë, plotëson idealet e etërve themeltarë më mirë se kurrë në histori, jo me retorika patriotike, po me vepra konkrete në shërbim të shqiptarëve.

Vetëm kjo Kosovë sovrane na bënë më të vlefshëm për Shqipërinë e për rajonin tonë si dhe për miqtë e partnerët tanë strategjikë, ShBA, NATO-n dhe Bashkimin Evropian. Të bashkuar s’ka tërmet që na ligështon!

Ju faleminderit!

Urime dita e Ushtrisë Shqiptare!

Last modified: 4 Dhjetor, 2019

Comments are closed.