Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Mustafa: Produktet e drurit në Kosovë të standardeve më të larta evropiane

19 Tetor, 2016

Prishtinë, 19 tetor 2016

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në Konventën e parë të industrisë së drurit në Kosovë, që u mbajt në Prishtinë.

Të pranishëm në këtë konventë ishin edhe James Hope, drejtor i USAID-it në Kosovë, Hashim Deshishku, kryetar i bordit të Shoqatës së Përpunimit të Drurit të Kosovës si dhe prodhues të drurit nga mbarë Kosova.

Kryeministri Mustafa shprehu përkushtimin e Qeverisë së Kosovës që të punohet edhe më tej me reformat në ambientin e të bërit biznes, në mënyrë që t’iu mundësohet prodhuesve të kësaj industrie që të jenë konkurrentë edhe në tregun evropian.

Ndërkaq, duke shprehur gatishmërinë e Qeverisë për të përkrahur dhe adresuar të gjitha çështjet në interes të kësaj industrie, kryeministri Mustafa ka vlerësuar produktet kosovare të drurit duke theksuar se ato nuk kanë asnjë dallim prej produkteve evropiane dhe më gjerë.

“Prandaj, konsideroj se ju jeni bërë pjesë e këtyre kryeqendrave dhe cilësisë së produkteve në këtë fushë”, tha kryeministri Mustafa.

Fjala e plotë e kryeministrit Isa Mustafa:

Kam kënaqësi të veçantë që të jem së bashku me ju sot këtu, që të ndaj me ju rezultatet e shkëlqyeshme, të cilat ju i keni arritur në këtë fushë të rëndësishme dhe që konsideroj se është një fushë e identitetit të biznesit të Kosovës, sepse kemi përvoja shumë të mira në fushën e përpunimit të drurit. Kemi po ashtu shumë prodhues të përparuar, që sot janë bërë konkurrent në këtë fushë dhe se po tregoheni shumë të suksesshëm.

Kam vizituar disa prej kompanive të përpunimit të drurit dhe jam habitur për së miri me dizajnin shumë bashkëkohorë, me cilësinë e lartë të produkteve që ju i prodhoni dhe me atë se jeni bërë konkurrues jo vetëm në tregun e brendshëm, tregun regjional, por jeni bërë konkurrues edhe në tregun evropian dhe më gjerë.

Unë kam parë se objektiva themelore e kësaj konvente, është që të promovohet rritja e aftësisë konkurruese të kësaj industrie karshi industrive tjera dhe karshi konkurrentëve tjerë në tregun regjional dhe më gjerë. Mendoj që është një objektiv shumë i qëlluar, që ne të synojmë që ta rrisim konkurrencën.

Në qoftë se fillojmë nga gjendja që kemi ne në Kosovë, atëherë mund të konstatoj se ne kemi një bilanc tregtar shumë të pavolitshëm, sepse ende vazhdojmë të importojmë shumë produkte nga jashtë, përfshirë produkte edhe të kësaj lëmie dhe se kemi nevojë që këtë industri ta bëjmë konkurruese, që produktet tona të mos i shesim vetëm në vendin tonë, me të cilat e zëvendësojmë importin e produkteve nga jashtë, por të jemi më të përfshirë jashtë dhe përmes kësaj ne t’i kontribuojmë përmirësimit të bilancit tregtar me jashtë, përmes të cilit ne e zvogëlojmë importin e këtyre produkteve, e rrisim produktin vendor, përkatësisht GDP-në dhe mundësojmë që kjo industri të jetë një potencial shtesë i rritjes sonë ekonomike.

Shanset tona, që ne të gjendemi tani në tregun evropian, janë shumë më të mëdha pas nënshkrimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim dhe të hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje, porse vetëm marrëveshja nuk siguron që ne të jemi prezent atje. Duhet të bëjmë shumë përgatitje për këtë industri dhe industritë tjera, më tepër në rritjen e konkurrencës, në hulumtimin dhe njohjen e tregut, në dizajnimin e produkteve, në hapjen e mundësive për qasje më të mirë tuajën në financa të brendshme, por edhe në tregun e jashtëm financiar dhe në përmirësimin e cilësisë së financimit, përkatësisht të kreditimit të këtyre bizneseve.

Ne tani po punojmë me Bashkimin Evropian në reformën evropiane e cila reformë është e drejtuar në tri shtylla kryesore: në atë të rritjes së konkurrencës së produkteve vendore, në shtyllën e forcimit të shtetit ligjor në mënyrë që baza ligjore, korniza ligjore, por edhe zbatimi i kësaj kornize ligjore të jetë e drejtë për bizneset, dhe në fushën e punësimit dhe të cilësisë së arsimit, të cilat së bashku ndihmojnë në zhvillimin e kësaj industrie.

Si Qeveri po ashtu kemi punuar mjaft shumë në reformat fiskale, të cilat mendoj se ofrojnë një ambient më të mirë të bërit biznes në Kosovë. Unë nuk konsideroj se ne e kemi përmbyll kornizën e këtyre reformave, konsideroj se kemi bërë disa reforma që në mënyrë iniciale kanë përmirësuar pozitën e bizneseve, por po ashtu mbetemi të hapur para jush që të dëgjojmë të gjitha propozimet, sugjerimet, vërejtjet tuaja, që ndërlidhen edhe me përmirësimin e ambientit të biznesit në këtë fushë por edhe në fusha tjera, sepse ekonomia si e tillë është e lidhur dhe konkurrenca është interaktive.

Sa i përket sektorit bankar, mund të them se kemi një sektor bankar tani shumë stabil. Kemi bërë përparime të dukshme viteve të fundit tek cilësia e këtij sektori, sepse ofrohen kredi me afate më të gjata dhe me norma më të ulëta të interesit. Diku normat e interesit vetëm gjatë dy viteve të fundit kanë rënë mbi 30 %, që është një hap i rëndësishëm sepse është ul risku i moskthimit të kredive dhe është përmirësuar ambienti i biznesit. Por edhe në këtë aspekt unë mendoj që bankat tona janë gjithmonë të hapura dhe të gatshme që të ofrojnë kushte më të mira për biznese.

Unë e vlerësoj shumë lartë përkrahjen e USAID-it, Agjencionit Amerikan për Zhvillim Ndërkombëtar, në të gjitha fushat, por sidomos në këtë fushë dhe në fushën e bujqësisë, sepse përmes kësaj përkrahje të USAID-it ne kemi bërë përmirësime cilësore sa i përket dizajnit të produkteve, sa i përket aplikimit të teknologjive të reja në këtë fushë dhe sa i përket hulumtimit dhe njohjeve tona me tregje të reja, ashtu siç janë bërë edhe në fushën e bujqësisë, në të cilën fushë ne tani kemi aplikuar me produkte të reja, me të cilat prodhuesit tonë po tregohen shumë konkurrentë në tregjet e jashtme. Unë e falënderoj edhe drejtorin e USAID-it që është sot këtu së bashku me ne, edhe përkrahjen që ne e kemi marrë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në këtë fushë.

Unë shpreh gatishmërinë e Qeverisë që ne të bashkëbisedojmë për të gjitha çështjet të cilat ju i konsideroni që janë të rëndësishme, e vlerësoj shumë prezencën tuaj këtu, vlerësoj edhe produktet që në hyrje i pamë atje, që asgjë nuk dallojnë prej produkteve që ne i shohim në tregun evropian dhe në kryeqendrat evropiane, prandaj konsideroj se edhe ju këtu jeni bërë një prej pjesëve të këtyre kryeqendrave dhe cilësisë së produkteve sidomos në këtë fushë.

Urime dhe suksese.

Last modified: 19 Tetor, 2016

Comments are closed.