Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Mustafa: Policia e Kosovës simbol i përkushtimit në shërbim të qytetarëve dhe të Republikës

6 Shtator, 2016

Prishtinë, 6 shtator 2016
 
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në ceremoninë solemne të shënimit të 17-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës.
 
Kryeministri Mustafa e quajti përvjetor të punës dhe sakrificës 17- vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, të cilin e quajti institucion të rëndësishëm dhe të besueshëm.
 
“Mund të them se ju keni bërë një punë të mrekullueshme, se Policia e Kosovës e ka bërë një punë të lartë profesionale, ka treguar profesionalizëm, ka treguar disiplinë, ka treguar përkushtim për mbajtjen e rendit dhe qetësisë në shërbim të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe në shërbim të integritetit territorial dhe sovranitetit të vendit tonë. Ka zbatuar në mënyrë të përkushtuar ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës ”, ka thënë kryeministri.
 
Më tej, kryeministri Mustafa shprehu përkushtimin e Qeverisë që të ndihmoj edhe më shumë zhvillimin e këtij institucioni.
 
“Ajo që mbetet të them si kryeministër është se ne mburremi me ju, mburremi me punën që e keni bërë, dhe do ta keni një përkrahje të pa rezervë, në mënyrë që ky institucion të zhvillohet ashtu siç është zhvilluar, dhe të kryej përgjegjësitë e saj në mënyrën më të mirë. Unë e di që ju nuk e keni pasur lehtë, sidomos kohëve të fundit, jeni ballafaquar me shumë sfida dhe probleme, por mund të them se të gjitha këto i keni menaxhuar mirë, e keni mbrojtur qytetarin e Kosovës, keni mbrojtur pasurinë e shtetit, e keni zbatuar ligjin. Ju përgëzoj për të gjitha punët e mira që i keni bërë dhe për sukseset që i keni arritur, juve, udhëheqësinë e juaj, Ministrinë e Punëve të Brendshme. Po ashtu dëshiroj që këto suksese bashkërisht t’i rrisim dhe t’i shtojmë edhe në periudhën e ardhshme”, ka theksuar kryeministri.
 
Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, tha se 17 vjet pas themelimit, Kosova ka arsye për të qenë krenare me polici profesionale, me integritet të madh njerëzor dhe profesional, e cila me përkushtim ka mbrojtur Republikën.
 
“Ju të nderuar oficerë dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës, më mirë se çdo kush tjetër keni dëshmuar se jeni mbrojtës të pa kompromis të ligjeve dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Do të vazhdoni të përballeni me sfidat që jeni përball gjatë vitit që po e lëmë pas, por unë jam i sigurt që do të vazhdoni po me të njëjtin intensitet t’i adresoni ato sfida, me ekspertizë të pashoqe që e keni demonstruar gjatë vitit që po e lëmë pas, me integritet, me guxim edhe qytetar edhe institucional, në mënyrë që qytetarët e Republikës së Kosovës, pa dallim përkatësie etnie, përkatësie fetare, kulturore apo gjinore, ta ndjejnë veten të sigurt në shtëpinë e vet. E, shtëpia e të gjithë neve është Republika e Kosovës, që ndonjë i shkalluar mund edhe ta mohoj, mirëpo Republika e Kosovës po bëhet gjithnjë më e fuqishme, më e fortë dhe më e konsoliduar”, ka theksuar ministri.
 
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, foli për rrugëtimin e Policisë së Kosovës që nga themelimi i saj e deri në ditët e sotme, por edhe për përkushtimin dhe sfidat me të cilat u përballën.
 
“Rrugëtimi 17-vjeçar i mijëra grave dhe burrave të Policisë së Kosovës të devotshëm për t’iu shërbyer qytetarëve çdo herë, ka bërë që Policia e Kosovës të gëzoj respekt dhe mbështetje nga të gjithë”, tha drejtori Maxhuni.

Last modified: 6 Shtator, 2016

Comments are closed.