Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Mustafa: Çështjet ekonomike prioritet i Qeverisë së Kosovës

24 Gusht, 2016

Prishtinë, 24 gusht 2016
 

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në ceremoninë e shpërndarjes së mirënjohjeve për tatimpaguesit më të mëdhenj dhe më të rregullt për vitin 2015, të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Oda Ekonomike e Kosovës.
 
Para të pranishmëve, kryeministri Isa Mustafa, theksoi punën që po bëhet në fushën e reformave fiskale, për krijimin e kushteve më të mira të të bërit biznes.
 
“Për ne është kënaqësi e veçantë që përkundër temave të rënda politike, bizneset po e bëjnë punën e tyre, po arrijnë suksese të mëdha. Arkëtimi, përkatësisht përmbushja e detyrimeve ndaj institucioneve po bëhet nga ana e bizneseve në mënyrë shumë të vetëdijshme me vullnetin e tyre dhe mbi bazën e një afarizmi të tyre të suksesshëm. Prandaj, kjo flet se temat ekonomike gjithnjë e më tepër po gjejnë vend në vendin tonë”, tha kryeministri.
 
Kryeministri Mustafa, po ashtu, theksoi sukseset në degë të ndryshme të ekonomisë, duke i konsideruar ato rezultate të bizneseve të suksesshme e të fuqishme dhe duke shprehur besimin se këto biznese do të jenë konkurrente dhe në tregun e Bashkimit Evropian dhe më gjerë.
 
Më tej, kryeministri Mustafa falënderoi odat ekonomike si dhe bizneset për punën që po bëjnë dhe për përmbushjen e detyrimeve.
 
“Qëndrimi më i mirë ndaj shtetit është që të përmbushësh detyrimet ndaj shtetit, duke marrë parasysh se nga kjo përfitojnë shumë fusha, siç janë arsimi, shkenca, kultura, shëndetësia edhe institucionet demokratike. Pra, gjithë këtë që ne po e ndërtojmë sot bëhet mbi bazën e një pune të mrekullueshme që po bëjnë bizneset tona. Andaj, urime përfituesve dhe po ashtu shpreh gatishmërinë time dhe të Qeverisë që të bashkëpunojmë shumë edhe në të ardhmen”, tha kryeministri Isa Mustafa.
 
Të pranishmit në këtë ngjarje, i kanë përshëndetur edhe ministri i Financave, Avdullah Hoti, drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, përfaqësuesi i Odës Ekonomike të Kosovës, Hivzi Dragidella, drejtori i Përgjithshëm në Administratën Tatimore të Kosovës, Sakip Imeri dhe drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Lulzim Rafuna.

Në fund, është bërë shpërndarja e mirënjohjeve për tatimpaguesit e vitit, në kategoritë si vijon:
– Kategoria e bizneseve me qarkullim vjetor mbi 5 milionë euro;
– Kategoria e bizneseve me qarkullim vjetor 1‐5 milionë euro;
– Kategoria e bizneseve me qarkullim vjetor 100.000‐ 1 milion euro;
– Kategoria e bizneseve të reja.

Last modified: 24 Gusht, 2016

Comments are closed.