Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti viziton fabrikën “Fressia”, 9 nga 10 të punësuarit janë persona me aftësi të kufizuara

17 Gusht, 2023

 

Lipjan, 17 gusht 2023

Vizitën e radhës në bizneset në vend, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, e zhvilloi në fabrikën “Freesia” në Lipjan, themeluar nga Fondacioni “Golden Eagle”, ku të punësuar janë 9 persona me aftësi të kufizuara.

Punëtorët me aftësi të kufizuar në këtë ndërmarrje, kryeministri Kurti i konsideroi vlerë të shtuar të cilët kontribuojnë qoftë në prodhim të letrës higjienike, ambalazhit të letrës apo edhe në mirëmbajtje, përderisa puna e tyre është pasqyrë dhe krenari e shtetit tonë.

“Përndryshe Frutex-i, eksporton në 30 vende të botës anë e mbanë nga Australia, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga India, Iraku e Kuvajti te Kameruni, Gaboni, Libia dhe në mbi 20 shtete në kontinentin tonë evropian, pra është pjesë edhe e krenarisë tonë shtetërore, pjesë e imazhit të Republikës sonë në botë”, tha kryeministri duke falënderuar të gjithë punëtorët dhe pronarin.

Në anën tjetër, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, duke vlerësuar fabrikën “Fressia”, njoftoi se së shpejti bëhet edhe lansimi i thirrjes për ndërmarrësi sociale që parasheh lehtësira në të bërit afarizëm, si dhe mbështetje shtesë për biznese apo fondacione të tilla.

“Shembull shumë i mirë se si një biznes, se si një aktivitet biznesor mundet edhe me i kthy komunitetet, pra të bëjë kontribut pozitiv edhe te komunitetet, pra duke themeluar edhe një fondacion të tillë që ka për synim edhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara, pra integrimin në tregun e punës, lehtësimin për rritjen e mirëqenies”, deklaroi ai.

Ndërkaq, këto arritje, udhëheqësi i fondacionit “Golden Eagle”, Endrit Rexhaj, i cilësoi ndjenja të veçanta për faktin se një biznes i tillë i vogël si “Fressia” ka qëllime të mëdha.

Deklarimi i plotë i kryeministrit Kurti:

Jemi këtu tek Fondacioni “Golden Eagle”, që është pjesë e ndërmarrjes së madhe prodhuese ‘Frutex’, me pronarin, me punëtorët, me ministrin e Financave dhe u gëzuam kur mësuam që këtu janë të punësuar 9 persona me aftësi të kufizuar nga 10 gjithsej, dhe në këtë mënyrë edhe te prodhimi i letrave higjienike edhe tek ambalazhi i letrës punojnë në prodhimin, punojnë në mirëmbajtje dhe ia shtojnë vlerën kësaj ndërmarrje të suksesshme.

Përndryshe Frutex-i, eksporton në 30 vende të botës anë e mbanë nga Australia, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga India, Iraku e Kuvajti te Kameruni, Gaboni, Libia dhe në mbi 20 shtete në kontinentin tonë evropian. Pra është pjesë edhe e krenarisë tonë shtetërore, pjesë e imazhit të Republikës sonë në botë për çfarë falënderojmë punëtorët, falënderojmë pronarin Shaqir Palushi.

Last modified: 17 Gusht, 2023

Comments are closed.

×