Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti vizitoi vendkalimin kufitar me Serbinë, Kapi

13 Mars, 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bashkë me Kryetarin e Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, vizituan vendkalimin kufitar me Serbinë në mes Komunës së Kamenicës dhe asaj të Medvegjës.

Vendkalimi kufitar Kapia ishte paraparë të funksionalizohej në kuadër të Marrëveshjes së Brukselit për Menaxhimin e Integruar të Kufirit të 2 dhjetorit të vitit 2011. Edhe sot, mbi një dekadë pas, Serbia pengon zbatimin e kësaj marrëveshjeje duke refuzuar të ndërtojë infrastrukturën për zyrtarët e saj policorë​. Në vend të saj, ka bllokuar rrugën me cunga. Ky kufi pa vendkalim i ndanë edhe anëtarët e të njëjtave familje të fshatit Svercë që detyrohen të udhëtojnë mbi 15km larg në Mutivodë për të kaluar në anën tjetër.

Atje, Kryeministri Kurti u prit dhe bashkëbisedoi me oficerët e Policisë së Kosovës. Ai bëri thirrje për zbatimin e marrëveshjes për Menaxhimin të Integruar të Kufirit dhe funksionalizimin e plotë të vendkalimit kufitar Kapia që do të mundësonte lëvizjen e lirë jo vetëm ndërmjet qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë po edhe të banorëve brenda fshatit Svircë i cili është ndarë në dysh.

Last modified: 13 Mars, 2023

Comments are closed.

×