Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti vizitoi shkollën “Hello Academy of Education”

29 Mars, 2023

Gjilan, 29 mars 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, sot vizitoi shkollën “Hello Academy of Education” në Gjilan, ku u mirëprit nga dy drejtorët e saj, Florian dhe Hysnije Kurteshi.

Fillimisht, Kryeministri vizitoi nxënësit e një klase të ciklit të ulët, të cilët para tij shfaqën edhe aftësitë e tyre në lëndën e matematikës. Më pastaj, u njoftua nga drejtoresha e kësaj shkolle për punën e saj, historikun e institucionit që drejton dhe për angazhimin e fëmijëve.

Shkolla “Hello Academy of Education” është përfituese e katër masave të Qeverisë, masës 1.3 për mbështetjen e punësimit të grave, Pako për Përballje me Inflacionin për subvencionin e rritjes së pagës për punëtorët e sektorit privat, të skemës “Qeveria për Familje” dhe tash së fundmi të skemës së punësimit të garantuar për të rinj përmes platformës “Superpuna”.

Nga masa 1.3 janë punësuar 18 gra. Përmes skemës “Qeveria për Familje” janë punësuar 5 persona. Janë angazhuar 16 punëtorë të rinj nëpërmjet platformës “Superpuna”. Ndërkaq nga rritja e pagës në kuadër të Pakos për Përballje me Inflacionin, kanë përfituar gjithsej 90 persona.

Kryeministri Kurti u shpreh i kënaqur kur takon përfituesit dhe sheh dobinë e drejtpërdrejtë të masave dhe pakove mbështetëse të qeverisë për qytetarë.

Duke i falënderuar për ftesën për këtë vizitë, kryeministri tha se ajo se çfarë bëni në këtë institucion arsimor është një punë fisnike jo vetëm për të tashmen por edhe për të ardhmen, sepse mësimi në fëmijërinë e hershme është vendimtar për mësimin dhe edukimin e mëvonshëm sikurse edhe për profesionet që këta fëmijë nesër do t’i kenë dhe për punët e vendet e punës e kontributin në shoqëri të cilin do ta bëjnë.

Ai shoti se gjuha e matematika në njërën anë, vizatimi e muzika në anën tjetër edhe natyra edhe shoqëria që janë fusha të mëdha, të cilët i mësojnë fëmijët dhe bashkërisht i studiojnë në këtë shkollë, do të jenë vendimtare për atë se çfarë do të jetë edhe ekonomia jonë, edhe shoqëria jonë, edhe kultura jonë, por dhe arsimi ynë.

Shkolla “Hello Academy of Education” funksionon nga viti 2010. Fillimisht ka nisur edukimin me grupmoshën 6 muaj deri në 5 vjeç, ndërkaq nga viti 2013 ka filluar me grupin para fillor, pra mosha 5 – 6 vjeç, me program edukativ – arsimor, të mbështetur në planprogramin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. Në vitin 2017, kopshti i fëmijëve “Hello“ themeloi shkollën 9-vjeçare “Hello Academy of Education”, të parën në komunën e Gjilanit. Shkolla tani ka një sipërfaqe prej rreth 4200 m2, 40 klasë mësimi, kabinet të informatikës, kabinet të kimisë, biologjisë dhe fizikës dhe gjithashtu sallën e edukatës fizike, për 639 nxënës dhe fëmijë, me 90 mësimdhënës prej të cilave 90% gra, dhe 22 persona si staf teknik.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

E nderuara drejtore,
Të nderuar mësimdhënës,
Të nderuar nxënës,

Është kënaqësi edhe është nder që jemi këtu bashkë me juve sot në këtë Akademinë e fëmijëve, që ju e organizoni me shumë mund e sakrificë, por në të njëjtën kohë edhe me përkushtim e krenari.

Siç edhe e pamë nga prezantimi i drejtores, i udhëheqëses këtu, është bërë shumë punë dhe gjithashtu unë ju falënderoj për mirënjohjen tuaj, për mbështetjen që ua kemi dhënë, sepse është shumë e vlefshme edhe për neve kur e kuptojmë konkretisht dobinë që e ka pasur dikush nga masat e pakove të ndryshme ekonomike e arsimore të cilat i kemi dhënë ne.

Pra edhe Superpuna edhe Masa për Mbështetjen e Punësimit të Grave, edhe ajo për rritjen e pagave, si dhe ajo “Asnjë familje pa dikë të punësuar”, që të gjitha janë reflektuar në kolektivin tuaj dhe neve na vjen shumë mirë për këtë. Jeni duke bërë një punë fisnike jo vetëm për të tashmen por edhe për të ardhmen, sepse varësisht çfarë arsimi kemi, aty e shohim se çfarë ardhmërie do të kemi.

Mësimi në fëmijërinë e hershme është vendimtar për mësimin dhe edukimin e mëvonshëm e qe besa edhe për profesionet që këta fëmijë nesër kur të rriten do t’i kenë dhe për punët e vendet e punës e kontributin në shoqëri të cilin do ta bëjnë.

Gjuha e matematika në njërën anë, vizatimi e muzika në anën tjetër edhe natyra edhe shoqëria që janë fusha të mëdha, të cilët i mësojnë fëmijët dhe bashkërisht i studioni, do të jenë vendimtare për atë se çfarë do të jetë edhe ekonomia jonë, edhe shoqëria jonë, edhe kultura jonë, por dhe arsimi ynë.

Teksa jeni mësimdhënës e staf mbështetës, ju jeni gjithashtu në dijeni se me shumë gjasë një numër i konsiderueshëm i këtyre fëmijëve një ditë do të bëhen po ashtu mësimdhënës, do bëhen staf mbështetës në shkolla ose diku tjetër, dhe do të mësojnë edhe fëmijët të cilët ende nuk kanë lindur. Kjo është mënyra se si bëhet planifikimi dhe se si ndërtohet e zhvillohet vizioni për progres edhe demokratik edhe socio-ekonomik.

Edhe njëherë ju falënderoj të gjithëve, secilin e secilën për gjithë këtë punë, angazhim, kontribut e po ashtu edhe për ftesën kaq të bukur të këndshme që na e keni bërë sot.

Last modified: 29 Mars, 2023

Comments are closed.

×