Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti vizitoi qendrën “Infinit” dhe takoi medalistët e Olimpiadës Ndërkombëtare STEM

12 Shtator, 2023

 

 

Prishtinë, 12 shtator 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Taulant Kelmendi gjatë ditës së sotme ka vizituar Qendrën e Trajnimeve “Infinit”. Krahas drejtuesve të kësaj qendre, kryeministri takoi, përshëndeti dhe u ndau certifikatat mirënjohëse medalistëve të Olimpiadës Ndërkombëtare STEM që u mbajt në Paris të Francës.

Duke theksuar përkrahjen e Qeverisë për studime në fushat STEM, kryeministri Kurti tha se si asnjëherë më parë, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e ka intensifikuar mbështetjen për vajzat në fushën STEM, pra shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë, dhe mbështetja për to ka qenë 1382 bursa për studente vetëm në vitin 2022. Pjesëmarrja e vajzave në studime në fushat STEM në Universitetin e Prishtinës është në masën 50%, ndërsa në vendet e Bashkimit Evropian është 17%.

“Në prill të këtij viti Ministria ka mbajtur konferencën e parë kombëtare për gra dhe vajza në STEM, të quajtur STEMinists, ku i ka bashkuar dhjetëra studente, profesoresha, shkencëtare e profesioniste kosovare të fushave STEM, të cilat operojnë në Kosovë dhe në botë. E organizuar nën patronatin e Zyrës sime, kjo konferencë ishte përmbushje e premtimit të Qeverisë sonë për stimulimin dhe promovimin e vajzave dhe grave në STEM. Aty u krijuan edhe kushtet për rrjetëzimin e vajzave e grave në këto fusha dhe për mundësinë për punë praktike në mentorim dhe zhvillim profesional”, tha kryeministri Kurti.

Më tej kryeministri tha se në Kosovë janë rreth 1500 kompani në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe të Komunikimit dhe se shumica dërmuese e tyre eksportojnë shërbime, derisa theksoi në këtë fushë i kemi 20 mijë profesionistë. Janë 4 mijë të reja dhe të rinj që ndjekin fakultetet, ose kurse të ndryshme në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe të Komunikimit që paraqet një sektor në ekonominë tonë, ku bilanci tregtar është pozitiv.

“Andaj, fusha e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, përveçse është një sektor shumë premtues për shtetin tonë, gjithashtu është edhe një vend ku ne mund ta demonstrojmë praktikisht lidhjen e arsimit me ekonominë, përkatësisht të shkathtësive dhe dijeve teorike që merren në shkollë me punën praktike që bëhet në këtë fushë”, tha kryeministri Kurti, i cili gjithashtu falënderoi qendrën “Infinit” dhe shtetin e Katarit për mbështetjen e vazhdueshme.

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Taulant Kelmendi, tha se fakti që nga 22 shtete pjesëmarrëse dhe 440 nxënës, nxënësit tanë, të shkollave “Hasan Prishtina”, “Iliria” “Qamil Batalli” dhe “Maarif” që për herë të parë morën pjesë në këtë garë, arritën të fitojnë gjithsej 14 medalje, prej tyre pesë të arta, tri të argjendta, pesë të bronzta dhe një medalje nderi, është vërtetë sukses i madh për të gjithë ne.

Duke i inkurajuar nxënësit që të vazhdojnë të angazhohen në rrugën e dijes e shkencës, ndër të tjerash, ai tha se rritja e buxhetit dhe fokusit në fushat STEM do të jetë progresive dhe e njëjta parashihet edhe në Strategjinë tonë për Arsim 2022-2026. Teksa shtoi se krahas kësaj, nga ky muaj kemi listuar lëndën e Kodimit si lëndë zgjedhore nga klasa e parë e arsimit fillor publik.

Në mesin e 22 shteteve pjesëmarrëse, nga pesë kontinente, në lëndët e matematikës, shkencës dhe kodimit, në Olimpiadën STEM që u mbajt në Paris në korrik të këtij viti, me medalje ari u stolisën: Arijon Syla, Kron Selmanaj, Kushtrim Kajoshi, Emir Lezi, Ron Shllaku. Me medalje argjendi: Jona Kuka, Sara Çavota, Erta Tejeci. Medale të bronztë morën Gerti Kida, Fron Isufi, Fron Korqa, Fatbardh Mulaku, Leoart Morina, kurse Omar Gashit iu nda medalje nderi.

“Infinit Qatar Training Center” është themeluar në qershor të vitit 2012 me qëllim të ngritjes së njohurive, aftësive dhe të kompetencave profesionale të individëve dhe grupeve të shoqërisë përmes ofrimit të trajnimeve dhe kurseve në teknologji informative, dizajn, mësimin e gjuhëve të huaja, pjesëmarrjes në olimpiada ndërkombëtare si Hippo, STEM etj.

Në përfundim të vizitës, Kryeministri Kurti dhe zëvendësministri Kelmendi, po ashtu zhvilluan një takim me Ushtruesin e detyrës së Ambasadorit të Katarit në Kosovë dhe në Shqipëri Abdulaziz El Sehl, Drejtorin e Organizatës Qatar Charity, Esam Dabab, dhe përfaqësuesin e Qatar Charity nga Katari, Nawaf Al Hamadi me të cilët u diskutuan mbi mundësitë e thellimit dhe zgjerimit të bashkëpunimit.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

I nderuari zëvendësministër i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, z. Taulant Kelmendi,
I nderuar zotëri Abdulaziz El Sehli ushtrues detyre i Ambasadorit të Katarit në Kosovë dhe në Shqipëri
I nderuari zotëri Benjamin Chen, përfaqësues i Olimpiadës STEM,
E nderuara zonja Merita Aliçkaj Elezi, menagjere e Qendrës Infinit,
I nderuari zotëri Esam Dabab, drejtor i Organizatës Qatar Charity,
I nderuari zotëri Nawaf Al Hamadi përfaqësues Qatar Charity nga Katari,
Të dashur nxënës,
Të nderuar të pranishëm,

Unë jam shumë i gëzuar dhe i nderuar që ndodhem sot në mesin tuaj, duke pasur parasysh kontributin e madh që suksesi juaj po jep për shkollimin cilësor në Kosovë. Në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, gjatë këtij mandati kemi dhënë 3978 bursa për studime në fushat STEM brenda dhe jashtë vendit, në vitin 2022 e kemi dyfishuar buxhetin për këto bursa në 2 milionë euro, kemi ofruar 1300 bursa për fushat STEM në vitin akademik 2021/2022 dhe 1600 bursa për fushat STEM për vitin 2022/2023.

Si asnjëherë më parë, Ministria e Arsimit e ka intensifikuar mbështetjen për vajzat në fushën STEM, pra shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë, dhe mbështetja për to ka qenë 1382 bursa për studente vetëm në vitin 2022. Pjesëmarrja e vajzave në studime në fushat STEM në Universitetin e Prishtinës është në masën 50%, ndërsa në vendet e Bashkimit Evropian është 17%.

Në prill të këtij viti Ministria ka mbajtur konferencën e parë kombëtare për gra dhe vajza në STEM, të quajtur STEMinists, ku i ka bashkuar dhjetëra studente, profesoresha, shkencëtare e profesioniste kosovare të fushave STEM të cilat operojnë në Kosovë dhe në botë. E organizuar nën patronatin e Zyrës sime, kjo konferencë ishte përmbushje e premtimit të Qeverisë sonë për stimulimin dhe promovimin e vajzave dhe grave në STEM. Aty u krijuan edhe kushtet për rrjetëzimin e vajzave e grave në këto fusha dhe për mundësinë për punë praktike në mentorim dhe zhvillim profesional.

Unë kam dëgjuar për qendrën “Infinit Qatar Training” e cila është themeluar qysh në qershor të vitit 2012, me qëllim të ngritjes së njohurive, aftësive dhe kompetencave profesionale të individëve dhe grupeve të shoqërisë përmes ofrimit të trajnimeve dhe kurseve në teknologji informative, dizajn, mësimin e gjuhëve të huaja, pjesëmarrjes në olimpiada ndërkombëtare si
Hippo, STEM e të tjera.

Kjo qendër synon të jetë lider në Kosovë për ofrimin e kurseve dhe trajnimeve dhe mua më vjen mirë që kanë synime kaq të larta, sepse tek arsimimi i të rinjve, synimet duhet të jenë veçse të larta.

Unë e falënderoj këtë qendër, e falënderoj shtetin e Katarit për mbështetjen të cilën na e kanë dhënë në vazhdimësi, për këtë përkrahje dhe për këtë dashamirësi e zell njëkohësisht, në mënyrë që nxënësit, të rejat e të rinjtë të tregojnë suksese sa më të mëdha edhe brenda edhe jashtë vendit.

Dhe me këtë rast më lejoni që në veçanti t’ju përgëzoj për suksesin që e keni pasur para një muaji në Paris dhe uroj që edhe në më shumë olimpiada të tjera të dijes në konferenca e gara ndërkombëtare të tregoni suksese sa më të mëdha, ashtu që edhe vet ju si individ të përfitoni, por edhe imazhi i vendit tonë dhe afirmimi i vendit tonë të jetë sa më i madh.

Në Kosovë janë rreth 1500 kompani në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe të Komunikimit, shumica dërrmuese e tyre eksportojnë shërbime.

I kemi 20 mijë profesionistë në këtë fushë në Kosovë. Janë 4 mijë të reja dhe të rinj që ndjekin fakultetet, ose kurse të ndryshme në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe të Komunikimit që paraqet një sektor në ekonominë tonë, ku bilanci tregtar është pozitiv. Pra kemi shumë më shumë eksporte sesa importe.

Andaj, fusha e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, përveçse është një sektor shumë premtues për shtetin tonë, gjithashtu është edhe një vend ku ne mund ta demonstrojmë praktikisht lidhjen e arsimit me ekonominë, përkatësisht të shkathtësive dhe dijeve teorike që merren në shkollë me punën praktike që bëhet në këtë fushë.

Edhe një herë të gjithëve dhe secilës e secilit prej jush urime e gëzuar!

 

Last modified: 12 Shtator, 2023

Comments are closed.

×