Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti vizitoi punimet për Festivalin e Këngës

22 Tetor, 2023

Prishtinë, 22 tetor 2023

Derisa pak ditë na ndajnë nga Festivali i Këngës, organizuar për herë të parë në Kosovë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, vizitoi Sallën e Madhe të Pallatit të Rinisë. Ai takoi ekipet që po realizojnë punimet për skenën, si dhe po finalizojnë parapërgatitjet për këtë ngjarje të madhe kulturore, që po organizohet nga Radio Televizioni i Kosovës.

Duke theksuar rëndësinë e festivalit, drejtori i Festivalit të Këngës në RTK, Adi Krasta, bëri me dije se janë plotësuar kushtet teknike për këngët pjesëmarrëse. Ai theksoi se orkestra që do të jetë e madhe, me afër 50 persona, përbëhet nga instrumentistët më të mirë që i kemi në Kosovë.

Edicioni i parë i “Fest 2023” që do të realizohet në Prishtinë, është bërë i mundur falë një memorandumi bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit me Radio Televizionin e Kosovës. Në skenën e festivalit do të performojnë 18 artistë të rinj dhe me karrierë, këngë të përzgjedhura nga juria, të vlerësuara për diversitetin e zhanreve të tyre. Tri netët live të Festivalit të Këngës në RTK do të zhvillohen në datat 26, 27 e 28 tetor 2023.

 

Last modified: 23 Tetor, 2023

Comments are closed.

×