Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti vizitoi punimet e Telekomit të Kosovës në fshatin Çabër të Zubin Potokut

12 Mars, 2024

 

Zubin Potok, 12 shkurt 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot vizitoi punimet e Telekomit të Kosovës në fshatin Çabër të Zubin Potokut, me rastin e përmbylljes së punimeve për zëvendësimin e stacionit bazë të transmetimit. Ai ishte i shoqëruar nga kryeshefja e Telekomit, Burbuqe Hana, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe kryetari i Sindikatës së Telekomit, Lamih Balaj.

Që nga viti 2021, Telekomi i Kosovës ka filluar investimet rrënjësore në fushën e telefonisë mobile. Me këtë rast po kalohet nga teknologjia e deritanishme e “Alcatel-it” në teknologjinë më moderne të kohës në partneritet me gjigantin suedez “Ericsson”, punimet e të cilës janë përfunduar në regjionet Ferizaj – Gjilan dhe po vazhdojnë në fshatin Çabër në kuadër të fazës përmes së cilës po zëvendësohen Stacionet Bazë të Transmetimit (BTS) të instaluar në vitin 2000, me ata të rinj.

Kësisoj, kryeministri Kurti duke e quajtur Telekomin ndërmarrje publike me rëndësi të sigurisë kombëtare, tha se kjo ndërmarrje është e udhëhequr nga mbulueshmëria dhe cilësia e shërbimeve publike që i ofron.

“Është kënaqësi të shohim se si nga pesë baza të këtilla që kanë qenë stacione bazë në veri të Kosovës, tashmë po bëhen njëzetë, po modernizohen dhe të gjitha punimet po kryhen nga punëtorët e Telekomit, pa pasur nevojë që ato t’i bartën operatorëve të ndryshëm ekonomikë privat sikurse që është vepruar në të kaluarën”, shtoi kryeministri.

“Çdo cep i vendit tonë po mbulohet, dhe viti 2024 është viti kur do ta kemi teknologjinë 5G nëpër qendrat urbane fillimisht, e më pastaj në çdo vend të Kosovës, në çdo komunë e në çdo fshat, sepse ne nuk dëshirojmë që të lëmë asnjëri mbrapa”, u shpreh kryeministrit Kurti, duke falënderuar të gjithë ata që kontribuuan në këto punime.

Sipas planit dinamik, deri në fund të këtij viti pritet të përfundoj modernizimi i Valës së Kosovës, për të garantuar mbulim dhe shërbime të denja në tërë territorin e Republikës, duke filluar me 5G në qytetet tona e për të vazhduar në tërë Kosovën.

Deklarimi i plotë e kryeministrit Kurti:

Jemi këtu në fshatin Çabër të Zubin Potokut, në veri të Ibrit në Republikën e Kosovës, ku po marrim pjesë me rastin e përmbylljes së punimeve për zëvendësimin e stacionit bazë të transmetimit me ç’rast po kalohet nga teknologjia e deritanishme e “Alcatel-it” te kjo e “Ericsson-it”.

Bashkëbiseduam me punëtorët, erdhëm këtu me kryeshefen e Telekom-it, Burbuqe Hanën, ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe kolegët e tjerë, ku është kënaqësi të shohim se si nga pesë baza të këtilla që kanë qenë stacione bazë në veri të Kosovës, tashmë po bëhen njëzetë, po modernizohen dhe të gjitha punimet po kryhen nga punëtorët e Telekomit, pas pasur nevojë që ato t’i barten operatorëve të ndryshëm ekonomikë privat, sikurse që është vepruar në të kaluarën. Pra montimin, zëvendësimin, çmontimin, modernizimin, që të gjitha këto kryhen nga punëtorët, inxhinierët e Telekomit të Kosovës.

Telekomi i Kosovës është ndërmarrje publike strategjike e vendit tonë, e rëndësisë së sigurisë kombëtare. Përveçse ofrimit të shërbimeve publike dhe me këto stacione bazë ne po dëshmojmë që Telekomi i Kosovës nuk është i udhëhequr thjeshtë nga profiti financiar vetjak, por nga mbulueshmëria dhe cilësia e shërbimeve publike që i ofron. Çdo cep i vendit tonë po mbulohet dhe sivjet 2024-shi, pra është viti kur do ta kemi teknologjinë 5G nëpër qendrat urbane fillimisht e më pastaj në çdo vend të Kosovës, në çdo komunë e në çdo fshat, sepse ne nuk dëshirojmë që të lëmë asnjëri mbrapa.

Andaj unë e falënderoj shumë kryeshefen, Burbuqe Hana, kryetarin e Sindikatës, Lamih Balaj, ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, që kanë punuar bashkë dhe na kanë sjellur në një ditë si kjo kur ne jemi dëshmitarë të instalimit dhe të vendosjes së këtyre stacioneve bazë në veri të Kosovës, ku kanë munguar për më shumë se sa dy dekada.

Last modified: 12 Mars, 2024

Comments are closed.

×